Botë

Këshilli Ushtarak i Sudanit do të formojë qeveri të përkohshme teknokrate

Këshilli Ushtarak i Sudanit ka njoftuar se do të formojë një qeveri të përkohshme teknokrate.

"Ne do të formojmë qeveri të përkohshme me teknokratë sa më shpejtë të jetë e mundur, përderisa të mbahen zgjedhjet", tha gjenerali Mohamed Hamdan Daglo, zv/kryetari i Këshillit të Përkohshëm Ushtarak (TMC) gjatë një tubimi në kryeqytetin e Sudanit, Khartoum.

Ai u bëri apel partive politike në vend që të "mbajnë përgjegjësinë dhe të injorojnë interesat personale në të mirë të kushteve aktuale në shtet".

Ai tha se TMC ka deleguar këshillat e fiseve në Sudan që të formojnë një qeveri teknokrate.

Sudani ka mbetur i përfshirë nga trazirat që nga 11 prilli, kur ushtria largoi presidentin Omar al-Bashir, i cili ka qeverisur Sudanin që nga viti 1989, pas protestave disamujore kundër qeverisjes së tij 30-vjeçare.

TMC tani është duke mbikëqyrur një “periudhë të përkohshme dyvjeçare”, gjatë së cilës kanë premtuar se do të mbajnë zgjedhje të lira presidenciale.

Megjithatë, protestuesit vazhdojnë të kërkojnë që MTC sa më shpejtë të jetë e mundur t’ia dorëzojë pushtetin një qeverie të zgjedhur civile.