Botë

Grupet e të drejtave të njeriut kërkojnë hetime të paanshme për vdekjen e Morsit

Ish-presidenti egjiptian, Mohammed Morsi, është varrosur disa orë pasi vdiq gjatë një seance gjyqësore në Kajro. Morsi, i cili ishte 67 vjeç, mbahej në burg që nga largimi i tij nga detyra në vitin 2013.

Grupet e të drejtave të njeriut, të cilët kishin kritikuar kushtet në të cilat Morsi u mbajt në burg, kanë bërë thirrje për një hetim të paanshëm për vdekjen e tij.

Familja dhe aktivistët e tij kishin ngritur shqetësime në mënyrë të përsëritur për shëndetin e tij dhe sa kohë ai ishte mbajtur në izolim, larg vizitave nga avokatët dhe familja, transmeton KTV.

Morsi u bë udhëheqësi i parë demokratik i Egjiptit në vitin 2012. Ai u rrëzua nga pushteti përmes grusht-shtetit ushtarak një vit më vonë pas protestave masive.

Edhe ‘Amnesty International’ ka kërkuar hetim për vdekjen e Morsit. Ish-presidentit iu lejuan vetëm tri vizita familjare në gjashtë vjet.