Botë

Trump thotë se udhëheq garën me demokratët, anketat tregojnë ndryshe

Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi të hënën se ai udhëheq garën me një grup kandidatësh demokratë për president, që kërkojnë ta rrëzojnë atë në zgjedhjet e vitit 2020, megjithëse fushata e tij i hodhi poshtë si të pavërteta tre anketa, pas zbulimit të rezultateve të tyre, duke treguar se zoti Trump është shumë prapa udhëheqësit demokrat, ish-nënpresidentit Joe Biden.

"Vetëm sondazhet e rreme na tregojnë se jemi pas grupit Motley Crew," shkruante zoti Trump në Twitter, duke ju referuar një grupi muzikor të viteve 1980, "Ne po paraqitemi me të vërtetë mirë, por është shumë herët të përqendrohemi tek kjo çështje. Mbetet shumë punë për të bërë! Do ta bëjmë përsëri madhështore Amerikën!”

Sipas mediave amerikane, Donald Trump ishte i zemëruar që sondazhet që u bënë publike nga vetë fushata e tij, tregojnë se ai po e humb betejën me rivalin demokrat Biden në shtetet kyçe për betejën presidenciale, që ka gjasa të jenë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit 2020.

Një sondazh i brendshëm në muajin mars tregonte se Presidenti Trump vinte pas zotit Biden në anketa, i cili aktualisht po udhëheq 22 demokratë të tjerë që kërkojnë emërimin e partisë presidenciale, me 16 për qind në Pensilvani, 10 për qind më tepër në Wisconsin dhe shtatë për qind më shumë në Florida. Presidenti Trump fitoi në të tre këto shtete në zgjedhjet e vitit 2016, ndaj demokrates Hillari Klinton dhe ka gjasa që ata t’i duhen përsëri për të fituar një mandat të dytë katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Menaxheri i fushatës së zotit Trump Brad Parscale, i konfirmoi rezultatet e sondazhit, por tha se ato ishin të vjetëruara.

Për të minimizuar rrezikun e rrjedhjes së informacionit në zgjedhjet e ardhshme, fushata e zotit Trump i pushoi nga puna tre nga 5 personat që punonin për anketat e tij.

Sondazhet e pavarura gjithashtu tregojnë se presidenti amerikan është prapa disa prej rivalëve të tij në anketa, thuajse 17 muaj përpara zgjedhjeve/VOA.