Botë

Mbi një milion njerëz në botë kërkojnë lirimin e avokates iraniane

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, tha se mbi një milion njerëz në më shumë se 200 vende dhe territore në gjithë botën kanë nënshkruar një peticion, që iu bën thirrje autoriteteve iraniane të lirojnë aktivisten e të drejtave të njeriut, Nasrin Sotoudeh.

Ajo është dënuar me 38 vjet e gjysmë burgim dhe 148 rrahje me kamxhik, pas dy gjyqesh që, sipas Amnesty International, kanë qenë "shumë të padrejta".

Për të shënuar një vit që nga arrestimi i saj, Amnesty International tha se nënshkrimet e mbledhura do t'iu dorëzohen të enjten ambasadave iraniane në botë.

Paraburgimi i Sotoudeh "ka ekspozuar thellësinë e represionit të autoriteteve iraniane", tha Philip Luther, drejtor për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, pranë organizatës Amnesty International.

Sotoudeh, bashkëfituese e Çmimit Saharov për lirinë e mendimit, është arrestuar në shtëpinë e saj në Teheran më 13 qershor të vitit 2018.

Ajo është kritike e zëshme e establishmentit iranian dhe, vitin e kaluar, ka përfaqësuar disa gra të arrestuara për heqjen e shamive të kokës.

Kundër saj rëndojnë një varg akuzash, të cilat Sotoudeh i mohon.

Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Qeveria amerikane dhe Parlamenti Evropian e kanë dënuar arrestimin e avokates/REL.