Botë

Ministri i Jashtëm gjerman viziton Irakun

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas paralajmëroi sot shtetet që të mos e braktisin Irakun, pasi sipas tij, ky shtet rrezikon të zhytet edhe më tej në konfliktin që po vazhdon ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Maas tha se Qeveria irakiane ka shqetësime të thella, pasi është përfshirë në tensionet rajonale. Ai lavdëroi qasjen e “matur” të Irakut dhe rolin ndërmjetësues të tij. Këto komente Maas i bëri pas takimit me kryeministrin irakian, Adel Abdel Mahdi dhe presidentin, Bahram Salih.

“Ne nuk mund ta braktisim tani Irakun”, tha ai, duke bërë thirrje që shtetet të vazhdojnë të ndihmojnë Irakun, në përpjekjet për rindërtimin e shtetit, transmeton rel.

Maas tha se Gjermania do të vazhdojë të marrë pjesë në misionet ndërkombëtare në luftën kundër grupit militant, Shteti Islamik. Ai paralajmëroi se ky grup terrorist mund të rindërtojë strukturat e tij dhe shtoi se “ne mund dhe duhet ta parandalojmë që të ndodhë një gjë e tillë”.

Vizita e Maas në Bagdad fillimisht nuk ishte bërë publike për arsye të sigurisë. Të dielën kryediplomati gjerman do të vazhdojë turneun e tij, duke vizituar Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë dhe më pas do të qëndrojë në Iran, ku pritet të lobojë që marrëveshja bërthamore e vitit 2015 të mund të ruhet.