Botë

Gjermania ratifikon protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në NATO

Protokolli për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO u votua edhe në Bundestagun gjerman duke u bërë kështu anëtarë i 16-të i NATO-s që mbylli këtë proces.

Para se të kalojë në lexim të dytë, deputetët opozitar tjetërsuan procedurat duke hyrë në debat për shkak të shtyrjes së debatit për negociatat me BE-në.

Debati u ashpërsua pasi deputeti i Partisë së Gjelbër, Jurgen Tritin, vlerësoi se për bisedimet ndërmjet Shkupit dhe Brukselit ka konflikte të brendshme edhe në vetë qeverinë gjermane.

“Kancelaria është kundër, kurse Ministria e Jashtme angazhohet që bisedimet të fillojnë. Koalicioni nuk mund të arrij pëlqim për këtë çështje. Dëshira e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nuk ishte që të anëtarësohen vetëm në NATO, por të integrohen edhe në BE. Dyshimet e mia janë që Kancelaria Merkel do të shtyj debatin për këtë çështje deri sa Demokracia e Re të merr pushtetin në Greqi për të bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE”, tha Tritin.

Tritin nga foltorja e Parlamentit tha se kryeministri grek Alexis Tsipras ka sakrifikuar karrierën e tij politike për tu arritur Marrëveshja e Prespës, dhe për shkak të kësaj ai tha se do ta humb pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Dy deputetët e shumicës Kristian Shmit dhe Peter Bejer replikuan në fjalimin e Tritin.

“Ju nuk keni lidhje me realitetin. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është punë e kryer pavarësisht se kush do të jetë në pushtet në Greqi. Interesi strategjik i Gjermanisë është që vendet e Ballkanit Perëndimorë të anëtarësohen në BE. Si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria së bashku duhet menjëherë t’i fillojnë negociatat”, tha Shmit, deputet i CDU-së.

Pas Gjermanisë, protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO një ditë më parë e ratifikoi edhe Norvegjia./AlsatM/