Botë

Izetbegoviq: Dodiku po vizaton harta të reja në Ballkan, Republikën Serbe e quan Serbi perëndimore

Kreu i Partisë për Veprim Demokratik, Bakir Izetbegoviq, ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq se pavarësisht deklarimeve për ruajtjen e integritetit territorial të BeH, ai nuk përmend asnjëherë sovranitetin e saj dhe nuk distancohet nga deklaratat separatiste të kreut të Republikës Serbe Milorad Dodik.

Izetbegoviq tha gjatë 29-vjetorit të themelimit të partisë së tij, se Vuçiqi dhe Dodiku shihen shpesh së bashku, duke buzëqeshur dhe të përqafuar.

“Atëherë, përse të besoni në mbështetje verbale për integritetin territorial të BeH, ose mbështetje jo-verbale dhe konkrete për një person që e vë atë çështje në dyshim çdo ditë? Republika Serbe po militarizohet, duke anashkaluar Kushtetutën dhe ligjet. Është duke u futur një forcë policore rezervë, janë duke u furnizuar me pushkë ushtarake për policinë dhe ushtrimet kryhen së bashku me policinë serbe, duke kaluar kufirin shtetëror”, tha Izetbegoviq, transmeton KosovaPress.

Izetbegoviq tha se Milorad Dodiku po vizaton disa harta të reja të Ballkanit, ndërsa Republikën Serbe e quan “Serbia perëndimore” dhe nuk heq dorë duke lavdëruar Radovan Karaxhiqin dhe kriminelët e tjerë të dënuar për krime lufte.

“Pyetja e pashmangshme është: Ku janë kufijtë e lojërave të Dodikut? A do të kalojë një ditë Dodiku nga fjalët në vepra dhe me të vërtetë të përpiqet të përfundojë atë që Karaxhiq filloi 27 vjet më parë? Dhe cila duhet të jetë përgjigja jonë për të gjithë këtë?", tha Izetbegoviq.

Duke folur për Rusinë, ai tha se ky shtet është gjithnjë e më shumë i pranishëm në rajon dhe po anon kah serbët në Serbi dhe Bosnjë, por edhe SHBA, pavarësisht politikës së udhëhequr nga presidenti Donald Trump, nuk do të heqë dorë nga ndikimi në Ballkan.