Izraelitët kundër imunitetit të Netanyahut, e krahasojnë me Erdoganin

26 May 2019 19:29

Mijëra izraelitë janë mbledhur nëpër rrugë, për të protestuar kundër veprimit të kryeministrit Benjamin Netanyahu, për ta forcuar imunitetin ndaj ndjekjeve penale.

Protestuesit janë mbledhur para një muzeu në Tel Aviv për protestat “pro demokracisë”, të organizuara nga partitë opozitare që po e akuzojnë Netanyahun se dëshiron të miratojë një ligj që i siguron imunitet ndaj akuzave për korrupsion.

Netanyahu në muajin prill fitoi mandatin e pestë si kryeministër, por mund të akuzohet për mashtrim e korrupsion më vonë gjatë këtij viti.

Protesta e së shtunës mbrëma ishte e para që u mbajt nga partitë opozitare qëkur Netanyahu fitoi zgjedhjet.

Disa protestues mbanin kapele të kuqe të otomanëve, me të cilat protestuesit portretizonin presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe deklaruan se një regjim të ngjashëm si në Turqi, po e përjetojnë në Izrael, transmeton KTV.

“Jam këtu për të protestuar kundër ligjeve që Netanyahu dëshiron t’i miratojë e që e kthejnë Izraelin nga një shtet demokratik në një lloj diktature të ngjashme me Turqinë e Rusinë, shtete në të cilat politikanët janë mbi ligjet”, ka thënë Gay Shahar, një protestues.

Opozitari Benny Gantz, ish-shef i ushtrisë izraelite që garoi kundër Netanyahut në zgjedhje, tha se ëndrra izraelite po bëhet copash nën udhëheqjen e Netanyahut.

Prokurori i Përgjithshëm në Izrael, gjatë muajit prill, paralajmëroi se ishte duke menduar për një aktakuzë ndaj Netanyahut për mashtrim e korrupsion.

Kryeministri, besohet se ka pranuar dhurata nga biznesmenë të pasur dhe ka kryer favore të ndryshme me qëllim që të dalë sa më mirë para publikut.

Netanyahu ka mohuar akuzat, derisa partitë opozitare thonë se ai nuk mund të jetë kryeministër në rast se akuzohet nga prokuroria.

Kryeministri izraelit ende nuk e ka formuar qeverinë, pasi kanë vazhduar bisedimet për partner koalicioni. Afati është deri më 29 maj dhe pas kësaj date, presidenti mund të ftojë një tjetër anëtar të parlamentit për ta formuar qeverinë.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme