Botë

Fillon gara brenda Konservatorëve për kryeministrin e ri të Mbretërisë së Bashkuar

Ka filluar gara për ta marrë drejtimin e Partisë Konservatore në Britani, pas njoftimit të Theresa Mayt se ajo do të japë dorëheqje në muajin qershor.

Gara jo vetëm se do të rezultojë me lider të ri partiak, por edhe me kryeministrin e ardhshëm të Mbretërisë së Bashkuar.

Konservatorët presin të kenë udhëheqës të ri deri në fund të korrikut.

May konfirmoi të premten se ajo do të japë dorëheqje si lidere e partisë më 7 qershor, por dëshiron të vazhdojë si kryeministre, ndërsa zhvillohet gara brendapartiake, transmeton KTV.

Ajo u pajtua me shefin e grupit parlamentar të konservatorëve, Sir Graham Brady, që procesi për ta zgjedhur liderin e ri partiak duhet të fillojë menjëherë pas 7 qershorit.

Sidoqoftë, 20 deputetë dhe anëtarë e kanë shprehur vullnetin e tyre për ta marrë drejtimin e partisë.

Jeremy Hunt dhe Boris Johnson, që shërbyen si sekretarë të jashtëm, sekretari për Zhvillim Ndërkombëtar Rory Stewart, si dhe ish-sekretarja për Punë dhe Pensione, Esther McVey, publikisht kanë thënë se do të garojnë.

Por, mediat britanike raportojnë se së paku 20 deputetë konservatorë kanë ambicie.

Sipas parashikimeve, Boris Johnson shihet favorit për ta pasuar Theresa Mayn.

Deputetët konservatorët kanë afat deri më 10 qershor për të kandiduar, për aq kohë sa e kanë përkrahjen e dy kolegëve parlamentarë.

Përndryshe, Partia Konservatore kishte 124,000 anëtarë, që nga muaji mars i vitit të kaluar. Udhëheqësi i fundit i zgjedhur nga anëtarësia ishte David Cameron, në vitin 2005, ndërsa Theresa May nuk u sfidua në vitin 2016.