Me art në Turqi për të rritur ndërgjegjësimin për të zhdukurit

Me art në Turqi për të rritur ndërgjegjësimin për të zhdukurit

23 May 2019 16:09

Grupet për të drejtat e njeriut në Turqi, fajësojnë autoritetet shtetërore për zhdukjen e qindra personave për dekada me radhë, gjatë luftës ushtarake kundër separatistëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Anil Olcan, sikur edhe shumë tjerë nga grupi protestues, po mundohet që përmes artit të kthejë vëmendjen drejt viktimave të asaj kohe.

Olcan për një vit ka realizuar fotografi që kanë të bëjnë me këto zhdukje.

Ai me shumë kujdes i ka vendosur ato mbi blloqe mermeri.

“Mermeri lidhet me vdekjen, por në të njëjtën kohë, i referohet përfaqësimit të pranisë botërore nga një këndvështrim tjetër”, tha zoti Olcan.

“Të kesh pllakë përkujtimore nënkupton se ju ishit në këtë botë dhe vazhdon të ekzistosh”, shton ai. “Sidoqoftë, këta të zhdukur nuk kanë varre. Ky është qëllimi i punës sime. Kam përdorur mermerin për t’u bërë thirrje atyre që të kthehen në tokë”.

Në mesin e të zhdukurve ka edhe biznesmenë që dyshohej se kishin mbështetur rebelët kurdë. Të tjerët janë mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe fshatarë.

Davut Altunkaynak është ndër më të rinjtë e paraqitur në blloqet e mermerit. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se ishte viti 1995 kur bariu u mor nga forcat e sigurisë ndërsa flinte. Nga ajo ditë ai nuk nuk u pa. Ai ishte 13 vjeç.

Ekspozita e Olcanit po mbështetet nga grupi turk i të drejtave humanitare “Hafiz Merkezi (e vërteta, drejtësia dhe qendra përkujtimore), organizatë kjo që sjell dëshmi dhe raporton për rastet e zhdukjeve.

Aktiviteti është organizuar në Stamboll në kuadër të javës ndërkombëtare të të zhdukurve.

Njëri nga organizatorët e ekspozitës, Kerem Ciftcioglu nga zyra për komunikim e organizatës “Hafiza Mekrezi”, tha se përdorën artin për t’u treguar njerëzve krimin e plotë.

“Ne si organizata për të drejtat njerëzore, zakonisht shprehemi përmes fjalëve, dhe teksteve, duke analizuar me mjete të shkencore dhe ligjore, ndërsa këtu jemi shprehur në një formë më artistike. Dëshirojmë që njerëzit të përballen me këto fytyra, të ndjejnë këto politika që janë politika shtetërore. Kur e sheh në këtë formë, është e pamohueshme ajo që ndodhi”.

Të afërmit e të zhdukurve janë pjesëmarrës të ekspozitës në Stamboll.

Mikail Kirbayir vështron me kujdes fytyrat e ekspozuara në korridorin e aktivitetit, teksa kërkon villain e tij, Cemil, i cili u zhduk pa gjurmë kur u mor në befasi nga forcat e sigurisë në vitin 1980. Ekspozita i ngjallë atij ndjenja të përziera.

“Është një punë e bukur, por do të dëshiroja që të mos ekzistonte nevoja për këtë. Do të doja që Cemil të mos ishte pjesë e kësaj ekspozite, por të ishte gjallë dhe i lumtur në mesin tonë”, tha zoti Kirbayir.

“Është shumë e trishtë të shohësh njerëzit, që iu mor jeta nga shteti, po ai shtet që për detyrë të parë dhe kryesore ka mbrojtjen e tyre. E kam të vështirë të shprehem, prandaj falenderoj krijuesit e kësaj vepre artistike që po shprehin atë që ne ndjejmë”, shtoi ai.

Gjatë procesit të paqes mes qeverisë dhe rebelëve kurdë, autoritetet shtetërore nisën proces hetues mbi zhdukjet, që rezultoi me akuza për disa zyrtarë sigurie.

Fundi i marrëveshjes paqësore katër vite më parë, i mbylli këto raste dhe që atëherë nuk ka hetime të reja.

I pranishëm në hapje të ekspozitës në Stamboll, ishte nënkryetari i partisë opozitare CHP, Sezgin Tanrikulu. Përpara se të hynte në parlament, ai ishte avokat për të drejtat e njeriut në Diyarbakir, qytet në juglindje të Turqisë i banuar me shumicë kurde.

“Ne gjithmonë harrojmë, por kjo ekspozitë nuk na lejon të harrojmë. Këtu ka shumë persona që i kam njohur, isha avokat i tyre. Të afërmit e disa të tjerëve i njoh”, tha Tanrikulu.

“Ne kemi ndërtuar kulturën duke harruar të shkuarën. Nuk mund të ndërtosh të ardhmen nëse nuk ke drejtësi dhe paqe. Dëshiroj të mësojmë nga incidentet e zhdukjeve dhe të parandalojmë përsëritjen e tyre. Sidoqoftë, për gjashtë muajt e fundit, kam kërkuar gjashtë të zhdukur në Turqi. Gjashtë persona! Drejtësia nuk u çua në vend, sepse ne nuk mësuam nga e kaluara. Nuk ka ndëshkim”.

Grupet për të drejtat e njeriut raportojnë për rritje të rasteve të shkeljeve që kur rinisën luftimet midis rebelëve kurdë dhe forcave të sigurisë, pasi u ndërprenë bisedimet për paqe. Qeveria mohon çdo shkelje dhe vazhdon të konsideroj Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit një organizatë terroriste.

Organizatorët e ekspozitës shpresojnë që presioni që po bëjnë për gjetjen e të zhdukurve dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve, të marrin fund rastet si këto/VOA.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme