Vuçiq: Marrëdhëniet me Bosnjën janë kthyer 25 vjet prapa

Vuçiq: Marrëdhëniet me Bosnjën janë kthyer 25 vjet prapa

22 February 2017 18:42

Vendimi i udhëheqësit mysliman të Bosnjës për të ripërtërirë një padi për gjenocid kundër Serbisë në gjykatën e Kombeve të Bashkuara, rikthen përçarjet që kanë çuar në luftën e viteve 1992-1995, thanë liderë të Serbisë dhe të serbëve të Bosnjës.

Apeli ndaj një vendimi të vitit 2007 të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi, sipas të cilit Serbia nuk ka kryer gjenocid në Bosnje, po ashtu është goditje e madhe mbi pajtimin e pasluftës dhe mbijetesën e Bosnjës si shtet multietnik, thanë zyrtarët serbë, raporton AP.

“Marrëdhëniet tona janë kthyer prapa 25 apo 22 vjet. Besimi i vogël që kemi ndërtuar me vite, tani është zhdukur”, tha kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Bakir Izetbegoviq, anëtari mysliman i presidencës tripalëshe të Bosnjës, ka bërë ankesën, pavarësisht mungesës së pëlqimit nga homologët e tij – kroat dhe serb – në presidencë.

“Izetbegoviq i ka mbyllur derën Bosnjës dhe perspektivës së saj”, tha Milorad Dodik, president i Republikës Sërpska, etnitet brenda Bosnjës.

Liderët serbë të Bosnjës kanë kërcënuar se do të braktisin institucionet e përbashkëta në shenjë proteste.

Bosnja fillimisht ka paditur Serbinë gjatë luftës në vitin 1993, për mbështetjen e saj për serbët e Bosnjës.

Rreth 100,000 njerëz kanë vdekur në luftën e Bosnjës, e cila ka përfunduar me një marrëveshje për paqe të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Me këtë marrëveshje, në Bosnje është krijuar entiteti myslimano-kroat dhe ai serb.

Gjykata me seli në Holandë ka konstatuar se masakra e Srebrenicës më 1995, në të cilën janë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ka qenë gjenocid.

Gjykata po ashtu ka gjetur Beogradin fajtor për dështim në parandalimin e vrasjeve, por jo edhe fajtor për gjenocid.

Masakra e Srebrenicës ka qenë më e keqja në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme