Botë

SHBA tërheq personel diplomatik nga Iraku

Qeveria e SHBA ka urdhëruar tërheqjen e të gjithë zyrtarëve amerikanë që nuk janë urgjentisht të nevojshëm në Irak. Të prekurit duhet të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur me mjete civile transporti, tha Ambasada e SHBA në Bagdad. Në Bagdad dhe në konsullatën e Erbilit, në veri të Irakut, shërbimi normal i vizave pezullohet përkohësisht, u bë e ditur.

Vendimi për tërheqjen e zyrtarëve bazohet në vlerësimin e situatës së sigurisë, shtoi në Uashington një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të SHBA, pa dhënë hollësi, transmeton Dita.

Më parë, ushtarët amerikanë të operacionit antiterrorist, Inherent Resolve (OIR), të vendosur në Irak dhe Siri, patën kaluar në “alarm të lartë”, siç bëri të ditur Kapiteni i Marinës, Bill Urban. Pentagoni foli për “kërcënime të besueshme” të konstatuara nga agjencitë amerikane të inteligjencës dhe nga aleatët e tyre.