Botë

Euroskeptikët në rritje në prag të zgjedhjeve evropiane

Foto: Reuters

Populistët evropianë, që nuk këmbëngulin më në braktisjen e Bashkimit Evropian, por në ndryshime brendapërbrenda, janë në rritje përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, shkruajnë mediat perëndimore.

Pesëmbëdhjetë vjet nga zgjerimi i fundit i madh i BE-së me dhjetë vende të reja, vizioni i bllokut e ka humbur shkëlqimin e tij, shkruan CNN, transmeton REL.

Sipas këtij rrjeti televiziv, votuesit në gjithë Bashkimin Evropian, nga 23 deri më 26 maj, do të zgjedhin 751 deputetë të Parlamentit Evropian, por, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, shumëçka është në duart e euroskeptikëve.

Sondazhet e fundit sugjerojnë se partitë euroskeptike mund të fitojnë deri në 35% të Parlamentit Evropian, shkruan CNN, duke shtuar se zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, i cili qeveris në koalicion me lëvizjen populiste Pesë Yjet, me muaj përpiqet t’i bashkojë partitë euroskeptike.

Nëse është i suksesshëm, ai do të mund të krijojë një bllok të madh, nëse jo më të madhin, brenda parlamentit të BE-së, vlerëson CNN, duke kujtuar se populistët aktualisht qeverisin në shumë vende të botës: Itali, Austri, Estoni, Hungari, Poloni, në disa pjesë të Gjermanisë, e madje edhe në SHBA.

Gazeta britanike Observer shkruan se populizmi nacionalist është në rritje në gjithë Evropën dhe se Britania e Madhe nuk përbën përjashtim.

Observer citon anketat që tregojnë se partia e Brexit-it, apo e daljes së Britanisë nga BE-ja, kryeson në prag të zgjedhjeve evropiane.

Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.