Botë

Dënime shumëvjeçare për puçistët në Mal të Zi

Foto: REL

Një gjykatë në Mal të Zi ka dënuar të enjten me pesë vjet burgim dy politikanët pro-rusë të opozitës, nën akuzat për përfshirje në komplotin e rrëzimit të Qeverisë në prag të votimeve të tetorit të vitit 2016.

Përpos tyre, gjykata ka shpallur fajtor edhe 12 persona të tjerë, përfshirë dy agjentë të pretenduar sekret të GRU-së ruse, të cilët janë gjykuar në mungesë, ka raportuar “BBC”, transmeton “Koha Ditore”.

Prokurorët e rastit kanë bërë të ditur se komplotistët e kishin mbështetjen e Kremlinit për vrasjen e atëbotë kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviq, me qëllim që të bllokohet anëtarësimi i vendit të vogël ballkanik në aleancën ushtarake të NATO-s. Rusia i ka quajtur “absurde” hetimet e ndërmarra nga drejtësia malazeze.

Opozita në Mal të Zi vazhdimisht i ka hedhur poshtë pretendimet, duke i quajtur ato pjesë të “operacionit të rremë” për ta mbajtur në pushtet Gjukanoviqin, tani president i shtetit. Pos dy liderëve të opozitës, në mesin e të pandehurve ishte edhe një shtetas tjetër malazez, nëntë serbë dhe dy rusë.

Rusët, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, morën dënimet më të rënda – me nga 12, respektivisht 15 vjet burgim. Liderët e burgosur të opozitës janë Andrije Mandiq dhe Millan Knezheviq, deputetë të Aleancës së Frontit Demokratik.