Partitë e vogla turke paralajmërojnë mbështetjen e kandidatit opozitar në garën për Stambollin

Partitë e vogla turke paralajmërojnë mbështetjen e kandidatit opozitar në garën për Stambollin

07 May 2019 13:27

Disa parti të vogla turke kanë paralajmëruar të martën se mund ta mbështesin kandidatin kryesor opozitar për kryetar të Stambollit në votimet e reja të qershorit, në shenjë proteste ndaj vendimit të autoritetit zgjedhor për t’i anuluar rezultatet e votimeve të marsit.

Ekrem Imamoglu, kandidati i Partisë Republikane të Popullit (CHP), ishte shpallur kryetar i Stambollit në mes të prillit, pas disa javësh mospajtime rreth rezultateve dhe rinumërimit të pjesshëm të votave, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”. Por presidenti, Recep Tayyip Erdogan, dhe partia e tij e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) kanë kërkuar në vazhdimësi anulimin e zgjedhjeve në Stamboll, duke pretenduar për parregullsi të shumta.

Imamoglu e mposhti kandidatin e AKP-së, ish-kryeministrin Binali Yildirim, për rreth 13.000 vota në qytetin me më se 10 milionë votues. Yildirim bëri të ditur të martën se do të kandidojë sërish për zgjedhjet e 23 qershorit, teksa opozita njoftoi se nuk do t’i bojkotojë votimet.

Duke u rreshtuar përkrah opozitës, Necdet Gokçinar, kandidati i partisë së vogël islamiste “Saadet”, I cili mori më se 100.000 vota në mars, ka njoftuar se është i gatshëm të tërhiqet nga gara për ta mbështetur Imamoglun. “Jam i gatshëm të tërhiqem, por së pari duhet ta pres vendimin e partisë”, ka thënë Gokçinar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme