Botë

Dalin pamjet kur njëri nga sulmuesit në Shri Lank hyn në kishë para shpërthimeve

Descriptive Text

Personi që shihet në një video të publikuar nga “The Guardian”, është një prej 7 kamikazëve që kryen sulmet terroriste të dielën e Pashkës katolike në Shri Lanka.

Personi ende i paidentifikuar është xhiruar nga kamerat e sigurisë para shpërthimit teksa hynte në kishën e Shën Sebastianit në qytetin Negombo.

Bilanci i sulmeve terroriste të 21 prillit është thelluar në 321 gjatë orëve të fundit, teksa të tjerë emra i janë shtuar listave së të vrarëve. Mbi 500 është numri i të plagosurve.

Kryeqyteti Kolombo dhe i gjithë vendi është në zi, teksa kanë nisur të zhvillohen ceremonitë e para mortore. Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ushtria mori në dorë sigurinë e vendit dhe ushtron kontrolle të rrepta për të parandaluar të tjera akte terroriste.

Ndërkohë këtë të martë sulmet u morën përsipër nga i ashtuquajturi Shteti Islamik, nëpërmjet portalit të tij të lajmeve.

Hetuesit bëjnë përgjegjës militantët islamikë të Touhid Xhamatit, një grup me qendër në jug të ishullit që dyshohet se ka lidhje me Shtetin Islamik. Pak informacione ka për aktivitetin e këtij grupi, por më herët janë akuzuar edhe për shkatërrimin e disa statujave budiste./tvklan.al