Botë

Irani e Pakistani me "forcë të përbashkët" kundër terrorizmit

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, dhe kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, u pajtuan "për krijimin e një force të përbashkët të reagimit" për të luftuar terrorizmin.

"Kemi rënë dakord për një forcë të përbashkët kufitare, për të luftuar terrorizmin", tha Rohani në Teheran, gjatë një konference të përbashkët me Khanin.

Njoftimi vjen pas tensioneve mes dy vendeve që, në muajt e fundit, kanë akuzuar njëri-tjetrin se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të larguar militantët që supozohet se strehohen përgjatë kufirit.

"Pakistani nuk do të lejojë asnjë grup militant që të veprojë nga toka e tij", tha kryeministri Khan.

Khan arriti në Iran të dielën, në vizitën e parë zyrtare në Republikën Islamike.

Udhëtimi i tij vjen pasi Islamabadi i kërkoi Teheranit që të ndërmarrë veprime kundër grupeve terroriste që besohet se qëndrojnë pas vrasjes së 14 ushtarëve pakistanezë, javën e kaluar, transmeton rel.

Autoritetet pakistaneze kanë thënë se 15 persona të armatosur, me uniforma ushtarake, kanë hapur zjarr ndaj një autobusi në provincën Baluçistan, duke vrarë 14 pjesëtarë të ushtrisë pakistaneze, më 18 prill.

Ministria e Jashtme e Pakistanit ka thënë në një letër drejtuar Qeverisë iraniane se sulmuesit janë nga një aleancë e tri organizatave terroriste me bazë në Iran.

Në muajin shkurt, Irani i ka bërë thirrje Pakistanit të ndërmarrë veprime kundër një grupi militant, pas një sulmi vdekjeprurës ndaj Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Njëzeteshtatë anëtarë të kësaj garde janë vrarë në këtë sulm, në afërsi të kufirit me Pakistanin.