SHBA-ja do t’i sanksionojë aleatet që importojnë naftën e Iranit

SHBA-ja do t’i sanksionojë aleatet që importojnë naftën e Iranit

22 April 2019 10:09

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka ndërmend t’u thotë pesë shteteve, përfshirë Koresë Jugore, Japonisë dhe Turqisë aleate, se më nuk do t’i përjashtojë nga sanksionet nëse vazhdojnë të importojnë naftë nga Irani, kanë bërë të ditur burime të agjencisë së lajmeve, AP.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, planfikon që të hënën të bëjë të ditur planet e administratës. Nuk është bërë e ditur menjëherë nëse do të ketë sanksione të reja nëse shtetet e caktuara nuk i respektojnë paralajmërimet amerikane edhe pas 3 majit.

Zyrtarët nuk kanë qenë të autorizuar të flasin për mediat dhe kanë folur vetëm në kushte anonimiteti para se qëndrimi të zyrtarizohet prej sekretarit Pompeo. Mediat amerikane kanë raportuar se të gjitha detajet janë sqaruar të premten kur edhe është diskutuar kjo temë nga presidenti Donald Trump.

Zyrtarët kanë thënë se kështu po synohet që të rritet presioni ndaj Iranit, që përfiton goxha shumë prej të hyrave nga eksportimi i naftës.

Prej muajit nëntë, Italia, Greqia dhe Tajvani kanë hequr dorë prej importimit të naftës nga Irani. Megjithatë janë edhe pesë shtete të tjera që kanë bërë fushatë që të mos ndëshkohen nga amerikanët për shkak të blerjes së naftës nga Irani.

Aleatja e SHBA-së në NATO, Turqia, ka qenë më e zëshme që të kërkojë shtyrje të afatit, me zyrtarët turq në NATO të cilët kanë thënë se nafta iraniane është kritike për nevojat energjetike të Turqisë. Ata kanë thënë gjithashtu se Turqia, fqinji i parë i Iranit, nuk mund të mbyllë krejtësisht ekonominë e saj ndaj mallrave irnaiane.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme