Botë

Persona të maskuar kanë sulmuar konsullatën e Turqisë në Cyrih

Persona të maskuar kanë sulmuar me ngjyrë konsullatën e Republikës së Turqisë në Cyrih të Zvicrës, ndërsa në objektin e stacionit të autobusëve në afërsi të konsullatës kishin shkruar “Kill Erdogan” (Vrite Erdoğanin).

Konsullja turke Asiye Nurcan Ipekci deklaroi për AA se sulmi ka ndodhur në orët e mbrëmshme dhe se menjëherë është informuar policia.

Sipas fjalëve të saj, sulmin e kanë kryer rreth 60 persona, të cilët kishin pasur në kokë helmeta skiatorësh, raporton Anadolu Agency (AA).

Ajo shtoi se policia ka marrë masat e nevojshme dhe se po bashkëpunojnë me ata.

“Tani situata është nën kontroll. Nuk ka asnjë arsye për frikë. Ngjyrat që janë hedhur në ndërtesën janë hequr”, ka thënë Ipekci për të shtuar se janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe se brenda kohës së sulmit në ndërtesë ka qenë i pranishëm vetëm sigurimi.

Sulmuesit e maskuar kishin shkruar në stacionin e afërm të autobusëve “Kill Erdoğan”, dhe kjo nuk është hera e parë që presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan vihet në shënjestër të mesazheve të tilla.

Sulmi i kryer të hënën rikujtoi ngjarjet e 25 marsit në Bernë, kur përkrahësit e organizatës terroriste PKK në tubimin kundër ndryshimeve kushtetuese në Turqi shpalosën flamurin në të cilin ishte shkruar një mesazh i ngjashëm.