Papa Françesku: Të ndërtojmë ura dhe jo mure

Papa Françesku: Të ndërtojmë ura dhe jo mure

21 April 2019 13:01

Përpara kaq shumë vuajtjeve të kohës sonë, Zoti të mos na gjejë indiferentë dhe të ftohtë, por të na bëjë ndërtues urash dhe jo muresh, tha sot papa Françesku në mesazhin ”Urbi et Orbi”, me rastin e Pashkëve, mbajtur sot në sheshin ”Shën Pjetri”.

”Të na bëjë të heqim dorë nga armët… dhe të frymëzojë liderët e kombeve t’i japin fund garës së armatimeve”, shtoi ai.

”Zoti të na hapë zemrat tona ndaj kërkesave të atyre që kanë nevojë, ndaj atyre që janë të pambrojtur, ndaj të varfërve, ndaj të papunëve dhe ndaj atyre që trokasin në portat tona në kërkim të bukës, strehës dhe të njohjes së dinjitetit”, theksoi më tej papa Françesku.

Ati i Shenjtë shprehu trishtimin e tij të thellë edhe për atentatet e sotme në Sri Lanka, që shkaktuan 185 viktima, që e futën në zi këtë të diel të Pashkës.

“Jam pranë gjithë viktimave të kësaj dhune mizore”, theksoi ai.

“Në këto Pashkë, le të gjejnë qetësi njerëzit në rajonet lindore të Ukrainës, që ende vuajnë nga konflikti. Zoti nxittë iniciativat humanitare dhe vendostë një paqe të qëndrueshme”, vijoi ai.

”Edhe shumë njerëz në Venezuelë janë të privuar nga kushtet elementare për një jetë të denjë dhe të sigurt për shkak të një krize që vazhdon të thellohet. Zoti u dhëntë përgjegjësi atyre që kanë në dorë eliminimin e padrejtësive sociale, abuzimeve dhe dhunës”, theksoi papa Françesku./ Atsh

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme