Nis votimi për president të Maqedonisë së Veriut Foto: Ilustrim

Rezultat tejet i ngushtë në Maqedoni, presidenti zgjidhet me balotazh

21 April 2019 08:11
23:57

Me më pak se dy për qind të votave të mbetura pa numëruar, rezultati për president në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut tregon garë tejet të ngushtë mes Stevo Pendarovskit të përkrahur nga LSDM-BDI dhe Gorgana Siljanovska-Davkova e përkrahur nga VMRO-DPMNE.

Pendarovski prin me 42.72 për qind të votave, apo 316 mijë e 716 vota, për dallim nga Davkova që ka 42.58 për qind apo 315 mijë e 651 vota.

Blerim Reka është i treti me 10.35 për qind apo 76 mijë e 697 vota.

Pasi që asnjëri kandidat s’ka arritur të sigurojë 50 përqindëshin në këto zgjedhje, vendi do të shkojë në balotazh ku qytetarët do të zgjedhin mes Pendarovskit dhe Davkovës.

Image
23:14

Davkova del para Pendarovskit në garën për president ku numërimi po shkon drejt fundit

Teksa numërimi i votave për president në Maqedoni po shkon drejt fundit, përqindja mes dy kandidatëve që po prijnë, Gordana Siljanovska-Davkova e përkrahur nga VMRO-DPMNE dhe Stevo Pendarovski që përkrahet nga LSDM-BDI.

Teksa janë numëruar më shumë se 700 mijë vota, Davkova tash ka kaluar në pozitën e parë dhe po prin me 42.63 për qind, vetëm 0.02 për qind më shumë se Pendarovski.

Në vota, Davkova ka marrë 307088 deri tash, për dallim nga Pendarovski që ka 306950.

Kandidati shqiptar Blerim Reka ka marrë 74970 vota apo 10.41 për qind.

I pashmangshëm tashmë është balotazhi, pasi asnjëri kandidat s’ka marrë më shumë se 50 për qind të votave.

Image
21:12

Garë e ngushtë për president në Maqedoni

Pas numërimit të rreth 300 mijë votave, rezultati po tregon diferencë të ngushtë mes dy kandidatëve Stevo Pendarovskit të përkrahur nga LSDM-ja dhe BDI-ja dhe Gordana Siljanovska-Davkova e përkrahur nga VMRO-DPMNE.

Pendarovski deri tash prin me 42.4 për qind, për dallim nga Davkova që ka 41.15 për qind.

Pendarovski ka 130 mijë e 22 vota, për dalim nga Davkova që ka 126 mijë e 163.

Blerim Reka, kandidati i vetëm shqiptar, ka 12.29 për qind të votave, apo 37 mijë e 672.

Image
20:45

Nis numërimi i votave në Maqedoni, Reka i treti

Ka nisur numërimi i votave në zgjedhjet për president në Maqedoninë e Veriut.

Nga rreth 180 mijë vota të numëruara deri tash, Stevo Pendarovski prin me 42.23 për qind apo 75 mijë e 228 vota. Pas tij është Gordana Siljanovska-Davkova me 40.74 për qind të votave.

Kandidati shqiptar, Blerim Reka është i treti me 13.06 për qind, apo 23260 vota nga rreth 180 mijë të numëruara deri tash.

Image
20:24

Mbyllen vendvotimet, votuan rreth 40 për qind

Vendvotimet janë mbyllur në ora 19:00. Deri në ora 18:30, kanë votuar 662827 votues, ose 39.71%. Ky rezultat del nga 91,54% e vendvotimeve të përpunuara, respektivisht nga 3339 vendvotime. Gjithsej kanë qenë 3480 vendvotime.

Tre kundërshtime tjera janë refuzuar, ndërsa një është pranuar, të gjitha janë për të drejtën e votimit, raporton Alsat.

18:10

Deri në orën 17, votuan 35 për qind

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka njoftuar se deri në ora 17:00 jehona e votuesve ka arritur 35.13 për qind, apo afro 600 mijë qytetarë kanë realizuar të drejtën e votës.

Sipas këtij institucioni, Komuna e Kriva Pallankës prin me numrin më të madh të votuesve që kanë realizuar të drejtën e tyre të votës, derisa më e ulët ishte ajo Zhelinës, raporton Alsat.

16:33

Deri në orën 15 votuan rreth 30 për qind e qytetarëve me të drejtë vote

Deri në orën 15:00, 28.89 për qind e atyre që kanë të drejtë vote e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për zgjedhjet për president në Maqedoninë e Veriut.

Kjo përqindje është llogaritur nga 77.51 për qind e vendvotimeve të përpunuara, raporton “Alsat”.

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Oliver Derkovski, ka thënë se ka pas deri tash 8 anesa që sipas tij në shumicë ishin për kalimin e afateve të letërnjoftimit.

Prilepi është komuna me përqindjen më të lartë të votimit, me 43.85 për qind, ndërsa Likova me më të ulëtën me 9.75 për qind.

14:10

Sela: Qytetarët të dalin dhe të votojnë

Kryetari i Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela pret zgjedhje të drejta dhe demokratike, të cilat, sipas tij, janë mjaft të rëndësishme për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit evropian.

Pas realizimit të së drejtës së tij qytetare në vendvotimin 1899 në shkollën fillore në fshatin Livadhi, Sela u bëri thirrje qytetarëve ta realizojnë të drejtën e tyre për të dalë dhe votuar në mënyrë të qetë.

“Qytetarët të dalin dhe të votojnë mënyrë të qetë. Ta japin votën e tyre për atë për të cilin kanë vendosur. Të votojnë për shtet juridik, të votojnë për shtet për të gjithë, për vazhdimin e rrugës drejt NATO-s dhe BE-së”, deklaroi Sela.

Lideri i Aleancës së shqiptarëve u ankua për shantazhe dhe presione si dhe propagandë të keqe ndaj kandidatit të tyre presidencial.

“Për fat të keq këto ditë ishim dëshmitarë të shantazheve dhe presioneve të bërjes së propagandës së keqe, shumë të ulët nga ana e portaleve që janë të afërta me partinë në pushtet. Mënyrë e vetme që pushteti të distancohet nga këto terme është të funksionojë ligji dhe të dënohen”, tha Sela.

Për pritjet për kandidatin e tyre presidencial, ai theksoi se kanë hyrë në garë për të fituar.

13:43

Zaev: Votimi është nder, e drejtë dhe detyrë qytetare

Nga të gjithë ne pritet përgjegjësi serioze nëse arrijmë dy gjëra: zgjedhim me sukses president të shtetit dhe gjithsesi të zgjedhim president i cili do të na udhëheqë përpara, tha kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev pas votimit në vendvotimin 1730 në Strumicë, ku votoi së bashku me bashkëshorten Zorica.

Bëri thirrje të gjithë të tregojnë përgjegjësi të pjekur nëse demonstrojnë demokraci në zgjedhje.

“Nëse zgjedhjet do të jenë të suksesshme, nëse e ruajmë unitetin në vendin tonë, hapërojmë fuqishëm përpara drejt botës bashkëkohore së cilës i takon vendi ynë, Republika e Maqedonisë së veriut”, theksoi kryeministri dhe lider i LSDM-së, Zoran Zaev, transmeton kp.

Nënvizoi se në zgjedhje ka dalë si qytetar i përgjegjshëm dhe ka votuar. Konsideron se secili në këtë ditë të bukur dhe të rëndësishme, kur qytetarët në mënyrë më se të drejtpërdrejtë, në mënyrë demorkatike sjellin vendime të rëndësishme për vendin e tyre.

“Votimi është nder, e drejtë dhe detyrë qytetare. Sot pres të gjithë qytetarët tanë të zgjedhin presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha në fund kryetari i Qeverisë dhe partisë në pushtet, Zoran Zaev në deklaratën për mediumet pas votimit në Strumicë.

13:13

Pendarovski: Presim zgjedhje që i kanë hije një shteti demokratik

Kandidati për president në Maqedoninë e Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se pret që zgjedhjet të jenë të qeta dhe të ketë jehonë të madhe të votuesve.

“Pres zgjedhje të qeta, ashtu siç i ka hije një shteti demokratik. Pres jehonë të madhe të votuesve, sepse qytetarët e dinë që bëhet fjalë për një koncept përmes të cilit duhet të vazhdoj të zhvillohet Republika e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë ai.

13:08

Në Shkup arrestohet një person pasi fotografon fletëvotimin

Një person është arrestuar në Shkup gjatë procesit të votimit të zgjedhjeve presidenciale, pasiqë i njëjti ka fotografuar fletëvotimin, kanë konfirmuar nga MPB-ja.

Incidenti është regjistruar në vendvotimin në çerdhen “Srniçka” në Komunën Aerodrom.

MPB-ja për në orën 13 ka caktuar pres konferencë ku do të njoftojë në lidhje me ngjarjet.

11:01

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, deri në ora 10:00 votuan 6.08 për qind

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), ka njoftuar se deri në ora 10:00, në 75 % të vendvotimeve kanë dalë 6.05 % ose 80569 votues.

Në vendvotimin 2344 në komunën e Studeniçanit nuk do të votohet. Me një orë vonesë ka filluar votimi në Komunën e Bogovinjës në vendvotimin 2073, ndërsa do të zgjasë po aq kohë sa ka pas vonesë.

08:11

Nis votimi për president të Maqedonisë së Veriut

Sot mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

Në zgjedhje të drejtë vote kanë 1.808.131 votues, të cilët mund të zgjedhin midis tre kandidatëve: Blerim Reka, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Stevo Pendarovski.

Në rrethin e parë fitues mund të jetë kandidati i cili fiton shumicë votash nga numri i përgjithshëm i votuesve, më shumë se 904.066 vota.

Sipas nenit 81 nga Kushtetuta, nëse në raundin e parë askush nuk e merr shumicën e nevojshme, në rrethin e dytë shkojnë dy kandidatë që kanë fituar më shumë vota në rrethin e parë.

Raundi i dytë i votimit mbahet në afat prej 14 ditëve pas përfundimit të rrethit të parë të votimit, në këtë rast 5 maj.

Për president zgjidhet kandidati i cili ka fituar shumicë votash, nëse në vendvotimet kanë dalë më shumë se 40 për qind e votuesve të regjistruar, gjegjësisht 723.253 votues, që është paraparë me nenin 121, paragrafi 3 nga Kodi zgjedhor.

Nëse edhe në raundin e dytë asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë numër të nevojshëm të votave, përsëritet tërë procedura zgjedhore.

Presidenti i Republikës zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, me votim të fshehtë, në kohëzgjatje prej pesë viteve. Për president të Republikës, personi i njëjtë mund të zgjidhet më së paku dy herë. Presidenti i Republikës duhet të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë.

Për president të Republikës mund të zgjidhet personi i cili në ditën e zgjedhjeve ka të paktën 40 vjeç. Për president të Republikës nuk mund të zgjidhet personi i cili deri në ditën e zgjedhjeve nuk ka qenë banor i Republikës së Maqedonisë të paktën dhjetë vjet në 15 vitet e fundit. Përzgjedhja për president të Republikës kryhet në 60 ditët e fundit të mandatit të presidentit paraprak.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme