Botë

Kryeministri çek refuzon dorëheqjen edhe pse akuzohet për mashtrim

Kryeministri çek, miliarderi Andrej Babis deklaroi sot se nuk do të jepte dorëheqjen edhe pse ishte i akuzuar për mashtrim me subvencionet evropiane.

Javën e kaluar, policia rekomandoi vënien nën akuzë të kryeministrit për një çështje që përfshin dy milionë euro, që mund t’i kushtojë atij një dënim nga pesë deri në dhjetë vite burg.

‘’Unë nuk do të jap dorëheqjen, pasi siç jam shprehur që në fillim kjo nuk është gjë tjetër veçse një çështje politike’’, deklaroi Babis për të përditshmen ”DNES” në pronësi të tij.

Personi i dytë më i pasur i vendit, Babis 64 vjeç u vu nën akuzë në 2017 së bashku me disa persona të tjerë, në një çështje për shpërdorim të dyshuar të fondeve evropiane në periudhën 2007-2008 lidhur me kompleksin në fushën e hotelerisë ‘’Foleja e Lejlekut’’, në afërsi të Pragës.

”Nëse nuk do të isha pjesë e politikës, askush nuk do të kishte dëgjuar të flitej për Folenë e Lejlekut’’, pohon Babis.