Botë

Ambasadori francez kundër Trumpit, fajëson mendjengushtësinë e tij për izolimin e SHBA-së në botë

Foto: Reuters

Ambasadori në largim i Francës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka krahasuar të premten administratën e presidentit, Donald Trump, me pallatin e Mbretit Luigji i XIV-të, i cili ishte i mbushur me oborrtarë që mundoheshin t’u gjenin interpretim tekeve të një lideri “të çuditshëm, të paparshikueshëm dhe të painformuar”.

Gérard Araud, i cili të premten u pensionua nga karriera e bujshme diplomatike më se 37-vjeçare, tha se paparashikueshmëria e Donald Trumpit dhe interpretimi i tij i ngushtë i interesave amerikane po e lejnë administratën të izoluar në skenën botërore.

“Kur thonë ‘Amerika në rend të parë’, atëherë mendojnë vetëm për Amerikën”, ka thënë Araud në një intervistë për të përditshmen britanike “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. “Faktikisht, ky president dhe administrata e tij nuk kanë aleatë, nuk kanë miq. Marrëdhëniet e tyre bilaterale janë vërtetë të bazuara në baraspeshën e pushtetit dhe mbrojtjen e interesave të ngushta amerikane”.

Araud me këtë rast e paralajmëroi Britaninë e Madhe që të mos presë ndonjë trajtim special nga Washingtoni gjatë bisedimeve tregtare pas Brexitit, duke parashikuar se administrata do ta nxis Londrën t’i pranojë importet amerikane sipas kushteve amerikane.

“Si punë e parë, ata (administrata Trump) nuk mendojnë sipas kritereve të bashkëpunimit multilaterale. Dhe së dyti, ata nuk ndjejnë ndonjë farë lidhje me evropianët. I trajtojnë evropianët njësoj siç i trajtojnë edhe kinezë”, ka thënë Araud, duke aluduar në përplasjet tregtare SHBA-BE. “Dhe kur britanikët t’u drejtohen për ta siguruar një marrëveshje të tregtisë së lirë, do të ketë gjak në mure dhe ky do të jetë gjaku i britanikëve”.