Politikani katalonjas pro-pavarësisë mban konferencë shtypi nga burgu

Politikani katalonjas pro-pavarësisë mban konferencë shtypi nga burgu

18 April 2019 16:02

Njëri prej politikanëve kryesorë të lëvizjes katalonjase pro-pavarësisë ka mbajtur konferencë shtypi në një vend të pazakontë – burgun e Madridit, ku po mbahet, derisa po gjykohet për përpjekjen për pavarësimin e Katalonjës.

Jordi Sanchez, kandidati kryesor për koalicionin “Bashkë për Katalonjën” në zgjedhjet e përgjithshme të 28 prillit në Spanjë, ka mbajtur konferencën përmes një video-linku, derisa vetë ndodhej në selinë e burgut Soto del Real, transmeton Koha Ditore.

Gazetarët ia kanë shtruar pyetjet nga selia në Barcelonë e agjencisë zyrtare spanjolle të lajmeve, EFE, që e ka organizuar ngjarjen.

Sanchez ishte i ulur në një tavolinë të vogël. Prapa tij ndodheshin një flamur spanjoll dhe portreti i Mbretit Felipe VI – simbole që zemërojnë përkrahësit e pavarësisë së Katalonjës.

Bordi zgjedhor i Spanjës ka dhënë leje për konferencën, me kusht që ajo të mos ndërhyjë në seancat gjyqësore të Sanchezit.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme