Botë

Mogherini: Ballkani, ribashkim me BE-në

Foto: Driton Paçarada / Koha

“Pres të shoh hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në muajin qershor”, ka deklaruar shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Kryediplomatja e bllokut u shfaq optimiste në fjalën e mbajtur në seancën plenare të Komitetit të Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme.

“Kur shikoni hartën e Evropës, ju e shihni se Ballkani është në Evropë. Prandaj, në vend të fjalës zgjerim më pëlqen të them ribashkimin e Ballkanit me Evropën”, u shpreh Mogherini, raporton tch.

Ky optimizëm i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian vjen në kohën kur Parlamenti holandez ka votuar pro rikthimit të regjimit të vizave me Shqipërinë, duke shkaktuar shqetësim, edhe pse fjala e fundit për këtë çështje i takonte BE-së.

Mogherini është shfaqur me kohë si mbështetëse e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke e konsideruar këtë një veprim të drejtë dhe në interes të dyanshëm.