Shpëton “Notre Dame”, struktura kryesore ruhet dhe miliona donacione për renovim

16 April 2019 19:57

Kambanat e vitit 1681 që i shpëtuan Revolucionit Francez dhe njoftuan fundin e dy luftërave botërore, u kanë shpëtuar edhe një herë flakëve.

Kulmi i katedrales ‘Notre Dame’ u bë shkrumb e hi të hënën mbrëma, si pasojë e një zjarri të madh që u lokalizua vetëm pas 14 orëve nga 500 zjarrfikës që u angazhuan për shuarje, por zjarrit i rezistuan muret e vjetra 850 vjet, transmeton KTV.

Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, por hetuesit thanë se po hetojnë zjarrvënien aksidentale, që lidhet me faktin se ajo pjesë e katedrales ishte duke u rinovuar.

Gjatë orëve sa zjarrfikësit punonin për shuarjen e zjarrit, raportohet se një person u lëndua.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e cilësoi ngjarjen tragjike, por tha se është shumë e rëndësishme që u shpëtua struktura e saj.

“Së bashku do ta rindërtojmë këtë Katedrale që është pjesë e kulturës franceze dhe do të jetë projekt për vitet e ardhshme. Duke filluar prej nesër, do të krijohet një fondacion për të dhënë ndihmë financiare për rindërtim. Gjithashtu, do të kërkojmë ndihmën e talenteve më të mëdhenj edhe përtej kufijve për rimëkëmbjen e saj. Do ta ndërtojmë ‘Notre Dame-n’, sepse është historia jonë”, ka thënë Emmanuel Macron, Presidenti i Francës.

E, thirrjen e Macronit për donacione e kanë dëgjuar njerëz të ndryshëm.

Njëri prej tyre është edhe miliarderi francez François-Henry Pinault, pronar i ‘Kering Group’, që përfshin disa linja të modës.

Ai premtoi donacion prej 100 milionë eurosh për rindërtimin e katedrales.

Prefektja e Parisit, tha se veprat artistike janë në duar të sigurta dhe se po barten në Muzeun e Louvreit.

“Veprat shpëtuan. Dje kemi hyrë menjëherë në katedrale. Salla e Shën Janit, në të cilën mbaheshin ekspozitat, ka shpëtuar. Aty po i mbajmë disa nga kryeveprat artistike, përfshirë kurorën e Krishtit”, është shprehur Anne Hidalgo, prefekte e Parisit.

Të hënën francezët kundërshtuan thirrjet e presidentit amerikan Donald Trump, që zjarri të shuhej përmes ajrit.

Se francezët ishin të përgatitur për një fatkeqësi të tillë në ‘Notre Dame’ e tregojnë pamjet e viteve 1920 – ‘30 kur zjarrfikësit kryenin teste për shuarje të zjarrit nga toka.

‘Notre Dame’ që në shqip do të thotë “Zonja jonë” është një ndër pikat kryesore turistike në botë, duke tërhequr rreth 13 milionë vizitorë çdo vit.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme