Turqia: Trumpi u tregua i arsyeshëm rreth mbrojtjes raketore ruse

Turqia: Trumpi u tregua i arsyeshëm rreth mbrojtjes raketore ruse

16 April 2019 10:39

Ministri turk i Financave, Berat Albayrak ka biseduar me presidentin e SHBA-së, Donald Trumpin të hënën dhe ai ka thënë se Trumpi ka marrë qëndrim “të arsyeshëm” sa i përket blerjes së planifikuar prej Turqisë, të sistemit rus të mbrojtjes raketore, kanë raportuar mediet turke.

Plani i Ankarasë për blerjen e sistemit S-400 ka rritur tensionet midis aleatëve në NATO, derisa Washingtoni ka thënë se Turqia mund të përballet me sanksione rreth kësaj çështjeje. Ministri turk i Mbrojtjes ka bërë thirrje të hënën që çështjet të zgjidhen përmes dialogut, transmeton Koha Ditore.

Albayrak, që është dhëndër i presidentit turk, Tayip Erdogan, ka thënë se të hënën është takuar me Sekretarin amerikan të Thesarit, Steve Mnuchin dhe këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, që është dhëndër i Trumpit.

“Gjatë takimeve tona, ku diskutuam rreth hapave për përforcimin e bashkëpunimit, neve na pranoi në zyre presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Ne ia përcollëm atij përshëndetjet dhe porositë e presidentit tonë”, ka shkruar Albayrak në “Twitter” të martën.

“Ai ishte shumë i arsyeshëm, duke treguar mirëkuptim për procesin, sa i përket nevojave të Turqisë për S-400”, ka cituar transmetuesi “CNN Turk” ministrin Albayrak. “Ishte bisedë tejet pozitive dhe konstruktive”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme