Demokratja Omar thotë se nuk do të heshtë, Trumpi e kritikon

Arlind Sermaxhaj 14 April 2019 19:34

Kongresistja demokrate, Ilhan Omar, është vënë në shënjestër të kritikave nga presidenti amerikan Trump dhe republikanët.

Ajo ka folur në një ngjarje për të drejtat civile dhe ka vënë në pikëpyetje ngjarjet e 11 shtatorit 2001.

“Ne kurrë nuk do të harrojmë”, shkroi presidenti Trump në Twitter, postim të cilit ia bashkëngjiti një video që shfaq fjalimin e Ilhan Omarit, transmeton KTV.

Sidoqoftë, Omar thotë se nuk do të heshtë dhe se askush s’mund t’ia mohojë dashurinë e saj të palëkundshme për Amerikën.

“Ne kemi jetuar me shqetësimin e të qenët qytetar i shtresës së dytë. Dhe, sinqerisht, jam lodhur prej kësaj çështjeje dhe çdo mysliman në këtë shtet duhet të ndihet i lodhur. Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame u themelua pas sulmeve të 11 shtatorit. Këshilli u formua pasi u kuptua se disa njerëz bënë diçka”, është shprehur Omar.

Sipas Omarit, myslimanët duhet të reagojnë nëse ndokush i shikon me përbuzje për shkak të sulmeve të 11 shtatorit.

Ndërsa, republikanët e kanë akuzuar atë për minimizimin e tragjedisë.

Por, demokratët, në masë të madhe, u mblodhën në mbrojtje të saj, duke thënë se ajo ishte cituar jashtë kontekstit dhe disa e akuzuan Trumpin për nxitje të dhunës kundër saj dhe myslimanëve.

Omar fitoi një vend si përfaqësuese për Minesotën, duke u bërë një nga dy gratë e para myslimane të zgjedhura ndonjëherë në Kongres. Familja e saj fillimisht erdhi në SHBA si refugjate nga Somalia dhe ajo është kongresistja e parë që mban shami.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme