Botë

Shefi i PE-së: Evropa është e ndarë rreth Libisë

Franca dhe Italia kanë përplasje për sa u përket politikave rreth Libisë, me gjithë unitetin e Bashkimit Evropian të shprehur nga shefja e bllokut për politikë të Jashtme, ka thënë të mërkurën shefi i Parlamentit Evropian.

Kryetari i PE-së, Antonio Tajani, një italian, ka nxitur vendet anëtare të BE-së të flasin njëzëri rreth krizës së re në Libi, ku forcat rivale po zhvillojnë luftime të ashpra për marrjen nën kontroll të kryeqytetit Tripoli, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”. Tajani ka përmendur po ashtu rolin e Francës dhe të Britanisë në rrëzimin e ish-diktatorit libian, Muammar Gaddafi, më 2011, veprim ky që ai tha se ishte “një gabim që gjeneroi kaos”.

“Kemi nevojë për më shumë unitet, duhet të flasim njëzëri si evropianë, por fatkeqësisht evropianët janë të ndarë rreth kësaj problematike”, ka thënë ai para gazetarëve. “Franca dhe Italia kanë interesa të ndara”, tha Tajani.

Franca, e cila ka asete të naftës në lindje të Libisë, ka ofruar në të shkuarën asistencë ushtarake për Khalifa Haftarin në epiqendrën e tij lindore, kanë thënë zyrtarët libianë dhe francezë. Në anën tjetër, Italia, dikur fuqia koloniale dhe akterja madhore në sektorin libian të naftës, ka mbështetur kryeministrin e përkrahur nga OKB-ja, Fayez al-Serraj.

Federica Mogherini, shefja për politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, ka thënë të hënën se blloku është i bashkuar në thirrjen për armëpushim dhe kthim në diplomaci.