Botë

Fondi Monetar Ndërkombëtar: re të zymta mbi ekonominë globale

“Të përgatitemi për më të keqen”. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde po bëhet gati të njoftojë se bota është sërish në telashe.

“Gjendemi përballë një momenti delikat për ekonominë globale”, ky do të jete – sipas medieve të huaja, – titulli i raportit që shefja e FMN-së do të paraqesë në Uashington.

Fondi i ka ulur dy herë parashikimet për rritjen globale; një herë në vjeshtë e një herë në fund të janarit, duke rishikuar mbi të gjitha vlerësimet për Europën, transmeton tch.

Në shënjestër kanë përfunduar kryesisht Gjermania e Italia, kampionët kontinentalë të industrisë së manifakturës dhe eksporteve, por që rrezikohen nga tensionet e zgjatura tregtare.

Lagarde do të flasë në Dhomën e Tregtisë në Shtetet e Bashkuara, ku do të shpjegojë sesi rreziku i luftës së tarifave, që Amerika nisi me Kinën e Bashkimin Europian, kërcënon të gjithë ekonominë botërore.

Ajo do të theksojë edhe zonat prioritare të veprimit, e një prej tyre, sa i takon Europës, lidhet me përfundimin e unionit bankar dhe krijimin e një tregu unik të kapitalit, për t’i bërë bankat më rezistente përballë një krize të re.