Botë

SHBA-ja shton përpjekjet për bisedime midis Qeverisë afgane dhe talibanëve

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, arriti në Kabul, përpara rrethit të ri të bisedimeve me talibanët, që synojnë t’i japin fund luftës gati 18- vjeçare në këtë vend.

Fereydoun Khuzon, zëdhënës i administratës presidenciale të Afganistanit, tha për Radion Evropa e Lirë se shpreson se vizita e Khalilzadit do të shtrojë rrugën për fillimin e bisedimeve direkte midis qeverisë dhe talibanëve, transmeton rel.

Khalilzad ka mbajtur disa raunde bisedimesh me grupin militant në Katar.

Por, Qeveria në Afganistan është lënë jashtë tryezës së negociatave, pasi talibanët e cilësojnë atë si "kukull të SHBA-së" dhe refuzojnë të takohen me të.

"Ne diskutuam urgjencën e përparimit drejt dialogut midis palëve afgane", shkroi Khalilzad në Twitter, pas takimeve që zhvilloi në Kabul.

Talibanët thonë se do t'i nisin negociatat me Qeverinë afgane pasi të arrihet pajtim për datën e tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.

Trupat amerikane kanë pushtuar Afganistanin në vitin 2001, disa javë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA.

Rrethi i fundit i bisedimeve midis SHBA-së dhe talibanëve u mbajt në muajin mars. Data e saktë e raundit të ri nuk është caktuar ende.