Botë

Turqia ndalon qasjen në Wikipedia, e akuzon se e ka krahasuar Turqinë me grupe terroriste

Ministria e Telekomunikacionit, Deteve dhe Transportit të Turqisë ka deklaruar se ka paralajmëruar Wikipedian të fshijë informacionet që krahasojnë Turqinë me grupe të ndryshme terroriste.

Zyrtarët e kësaj ministrie kanë thënë se ata i kanë mbajtur të hapura gjithmonë kanalet e komunikimit me Wikipedian, por se kjo e fundit nuk ka pranuar të fshijë informacionet në fjalë, raporton AA.

Ministria, duke vënë në dukje se Wikipedia ka lejuar publikimin e teksteve dhe komenteve të cilat krahasojnë Turqinë me grupe të ndryshme terroriste, në vijim shton: “Në vend që të bashkëpunojë në luftën kundër terrorit, Wikipedia preferon që të jetë një burim informacioni e cila vepron në përputhje me disa konjektura të cilat hedhin baltë mbi Turqinë në planin ndërkombëtar”.

Ndërkohë, në vijim të deklaratës thuhet se për këtë arsye Ministria ka bllokuar qasjen ndaj Wikipedia-s.

Në deklaratë po ashtu theksohet se pas përmbushjes së kërkesave të Turqisë, në dorën e së cilës ka dhe vendime gjyqësore, qasja ndaj Wikipedias do të mund të hapet.

Institucionet turke kohët e fundit kanë rritur kontaktet me kompani të ndryshme të rrjeteve sociale dhe faqe interneti dhe kanë kërkuar për hedhjen e këtyre hapave:

- Hapja e përfaqësive në Turqi.

- Veprimi në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

- Respektimin e vendimeve gjyqësore.

- Të mos jenë pjesë e fushatave të errëta dhe operacioneve kundër Turqisë.