Botë

Bashkësia ndërkombëtare kërkon dënimin e sulmuesve në Kuvendin e Maqedonisë

SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe OSBE-ja, e kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, duke kërkuar zbardhjen e rastit dhe dënimin e autorëve.

“Fuqishëm e dënojmë sulmin e organizuar ndaj Kuvendit më 27 prill... Sulmi ndaj një institucioni shtetëror, i cili paraqet zemrën e demokracisë, është sulm ndaj vetë demokracisë. Presim që këto vepra penale të hetohen në mënyrë sa më të shpejtë, organizatorët dhe autorët e sulmit të sillen para drejtësisë dhe Gjyqësori të veprojë në mënyrë të pavarur”.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të mbeten të përmbajtur, t’u shmangen provokimeve dhe të mbeten të qetë. Dhuna nuk është mënyra për përparimin e shtetit apo shoqërisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të delegacionit të BE-së në Shkup, Ambasadës Amerikane, misioni i OSBE-së dhe zyra e NATO-s, raporton REL.

Ndërkohë, organet e rendit nuk kanë dhënë informacione rreth arrestimit apo numrit të dyshuarve për dhunën ndaj deputetëve gjatë ndërhyrjes së protestuesve dy ditë më parë në Parlamentin e Maqedonisë.

Nga Prokuroria publike në Shkup thonë se janë në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme për identifikimin e pjesëmarrësve në trazirat që ndodhen në institucionin ligjvënës, por deri në këtë moment nuk është bërë ende asnjë kualifikim të veprave të kryera nga pjesëmarrësit gjatë pushtimit të hapësirave të Kuvendit.

Në lidhje me numrin e personave të ndaluar, Prokuroria Publike nuk ka dhënë asnjë detaj siç kanë thënë për shkak të hetimeve të mëtejshme që po ndërmerren.

Zyra e Prokurorit Publik bën me dije se publiku do të njoftohet sapo të jenë krijuar kushtet dhe kur prokurorët publik kompetente të kenë vërtetuar faktet.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë thotë se mbetet në informacionet e kumtuara gjatë ditës së premte se janë arrestuar 8 persona, të cilët kanë ushtruar dhunë në Parlamentin e Maqedonisë dhe i mbetet Prokurorisë.

Nga ky dikaster, edhe kundrejt insistimit të Radios Evropa e Lirë, nuk kanë dashur të japin hollësi nëse zgjerohet rrethi i hetimeve të personave të përfshirë në ushtrimin e dhunës në Parlamentin e Maqedonisë.

Një ditë pas dhunës së ushtruar nga ana e protestuesve, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev i së bashku me Zijadin Selën e Aleancës për Shqiptarët ishin ndër më të dhunuarit fizikisht tha se protestuesit kishin për qëllim vrasjen e tij, por edhe të deputetëve tjerë.

Deputeti Muhamed Zekiri nga partia e Zaevit për Radion Evropa e Lirë thotë se mos arrestimi i atyre, të cilët ushtruan dhunë ndaj deputetëve të shumicës parlamentare dëshmon se në tërë incidentin e dhunshëm janë të përfshirë zyrtarë të lartë të dikasterit të policisë.

“Policia dhe zyrtarë të ndryshëm brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë kanë shfrytëzuar një numër të caktuar të protestuesve që me maska të sulmojnë deputetët dhe njëherësh të mbeten të pandëshkuar”.

“Pikërisht mendoj se ky është shkaku kryesor se pse ende nuk janë arrestuar autorët kryesorë për atë incident të tmerrshëm që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë dy ditë më parë”.

“Nuk duhet harruar se nuk duhet arrestuar vetëm protestuesit, që u futën me dhunë në Parlament dhe për të cilët ka shumë incizime, por duhet të arrestohen edhe ata zyrtarë të dikasterit të policisë, të cilët nuk kanë reaguar për të parandaluar një gjë të tillë, si dhe ata të cilët kanë dhënë urdhër dhe kanë komanduar gjithë atë aksion”, thotë Zekiri.

Uranija Piovska, kryetare e Komitet të Helsinkit, për Radion Evropa e Lirë thotë se është shumë lehtë të ndriçohet rasti i së enjtes i ushtrimit të dhunës në Parlamentin e Maqedonisë, sepse siç vlerëson ajo, përgjegjësia për këtë akt vandalizmi qëndron te sulmuesit, organizatorët e protestës.

Sidomos, thotë ajo, te punonjësit e policisë që ishin të pranishëm si dhe tek eprorët e tyre, sepse në bazë të Ligjit për Policinë, përgjegjësia qëndron te Byroja për siguri publike, që menaxhohet nga Mitko Çavkov.

“E shqyrtojmë mundësinë që Komiteti i Helsinkit të ngrejë padi penale ndaj atyre që vlerësojmë se janë përgjegjës zhvillime e dhunshme në Parlamentin e Maqedonisë. Autorët e krimit duhet të përgjigjen para drejtësisë dhe kjo duhet të ndodhë sa më parë për të mos i hapur rrugë shfaqjes së veprimeve të dhunshme në të ardhmen”, vlerëson Piroska.