Botë

Dy adoleshentë japonezë gjenden të vdekur në ishullin Fraser në Australi

Foto: AAP

Dy djem 16-vjeçarë janë mbytur në ishullin Fraser të Australisë. Të dy djemtë ishin japonezë dhe janë raportuar të zhdukur nga një grup turistësh gjatë ditës së premte pas orës 5 në mesditë.

Pas kësaj, grupet e kërkuesve dhe ata të shpëtuesve, përfshirë edhe policinë lokale dhe një helikopter, mëngjesin e të shtunës i kanë lokalizuar dy trupat e viktimave.

I pyetur nëse ka ndonjë të dyshuar lidhur me rastin, inspektori policor Tony Clowes ka thënë se për momentin nuk ka, shkruan Reuters, transmeton Koha.net.

“Në këtë fazë, jo. Por është shumë herët, është fazë e hershme e hetimit. Ne nuk përjashtojmë asnjë mundësi në përgjithësi, sidomos në këtë fazë”, ka thënë ai.

“Mund të them se kemi policinë lokale, përfshirë edhe policinë ujore, skuadrën e qenve, kemi vullnetarë nga Qendra e Emergjencave të Shtetit të cilët po ndihmojnë në zbardhjen e rastit”, ka thënë ai.

Clowes ndër të tjera e ka cilësuar si ngjarje tragjike derisa ka thënë se kanë marrë të gjitha masat për të zbardhur rastin.

Trupat e djemve japonezë janë gjetur në një liqe në ishullin Fraser në Australi. Policia australiane filloi kërkimet pasditen e së premtes, më 29 mars, ndërkaq trupat e tyre u gjetën të shtunën herët në mëngjes.

Liqeni McKenzie në ishullin Fraser, në veri të kryeqytetit Queensland, Brisbane, është një destinacion i famshëm turistik dhe destinacion noti. Princi i Britanisë Harry vizitoi liqenin gjatë një turneu të Australisë vitin e kaluar.