Botë

Donald Trump - 100 ditë në Shtëpinë e Bardhë

Shumë amerikanë dhanë votën për Donald Trump sepse donin ndryshimin në politikë. Por çfarë ka arritur Trump në këto 100 ditë në politikën e jashtme amerikane? Vëzhgime kritike të ekspertëve.

Më miqësor është Eric Gomez nga instituti analitik liberal-konservator, “Cato” në vlerësimin që bën për 100 ditët e para të qeverisjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Mënyra e veprimit të Trumpit në politikën e jashtme nuk ndryshon nga ajo e Obamës, thotë eksperti. Trump punon me një përzierje të mjeteve politike, diplomatike dhe presionit ushtarak. Por problematike, sipas Gomez, është paparashikueshmëria e presidentit, ajo mbetet, sepse Trump e ndryshon shpesh mendimin.

Andej-këtej në politikën e jashtme

Edhe Michael Werz nga nga qendra liberale për Progresin Amerikan (CAP) ka të njëjtin mendim. Trump e hapi siparin e politikës së jashtme me çështjen delikate të Tajvanit, nëse ai i përket Kinës apo jo. "Në një intervistë të papërgatitur mirë, ai vë në pikëpyetje pozicionin 40 vjeçar amerikan" por për ta ndryshuar pastaj po nga kinezët, thekson Werz. Për të Trump ka bërë të gjitha gabimet që mund të bëheshin që në fillim. Donald Trump është i rrethuar me këshilltarë të një agjende politike mjaft konservatore, madje ekstreme të djathtë.

Kërcënon militarizimi i politikës së jashtme amerikane?

Eksperti Eric Gomez është i mendimit, se Trump nuk do të jetë i rezervuar në përdorimin e dhunës ushtarake, gjë që u tregua në bombardimin e fundit në Siri apo në objektivat e "Shtetit Islamik" në Afganistan. Nga ana tjetër SHBA furnizon me armë Arabinë Saudite, në konfliktin me Jemenin, një konfrontim ky, nga i cili do të ishte më mirë që SHBA "të qëndronte larg", sipas Gomez. Ndaj krizave të javëve të fundit, si sulmi me gaz toksik në Siri dhe situata në Afganistan, SHBA ka reaguar me dhunë ushtarake, thotë eksperti. "Shenja të këqija", sipas Gomez, aq më shumë që nga ato nuk arrin dot në përfundimin e një politikë të jashtme të koordinuar.

Paralele me krizën e Kubës së vitit 1962?

Një problem tjetër përbën aktualisht edhe kriza në Korenë e Veriut. Jack Janes nga "America Institute for Contemporary German Studies" (AICGS) mendon se është real rreziku që kriza me Korenë e Veriut të ashpërsohet. Ai e krahason situatën me krizën e Kubës në vitin 1962, ku qeveria amerikane kërkonte të pengonte stacionimin e kokave shpërthyese të raketave atomike sovjetike në Kubë. Presidenti i atëhershëm, John F. Kennedy u këshillua nga një "regjiment" ekspertësh dhe funksionarësh të lartë nga ministritë. Ndërsa Trump nuk ka këshilltarë me dije të gjithanshme dhe opcione veprimi, sepse në shumë ministri shumë vende ende nuk janë zënë. Sipas ekspertit Janes, proceset e vendimmarrjes së Trump deri tani janë udhëhequr nga instinktet.

Rex Tillerson gjatë debatit në Këshillin e Sigurimit për Korenë e Veriut

Konkluzioni sipas ekspertit, Michael Werz është kritik. Donald Trump është "strukturalisht i paaftë për të mësuar", thotë Werz. Këndi i vëmendjes së Trumpit është i vogël, dhe atij vetë i mungon dija, por edhe kurioziteti dhe interesi për botën, thekson eksperti. Ai vazhdon të informohet përmes televizioneve konservatore, dhe udhëhiqet nga narcizizmi dhe nevoja që të njihet. Për të Donald Trump është një person tërësisht jopolitik, një cilësi fatale për njërën nga postet më të rëndësishme në botë./DW