Botë

Kurdët e Sirisë kërkojnë gjykatë ndërkombëtare për krimet e “Shtetit Islamik”

Kurdët e Sirisë kanë bërë thirrje për krijimin në këtë shtet të një gjykate ndërkombëtare, për t’i gjykuar xhihadistët e dyshimtë të “Shtetit Islamik” pas shpalljes për rënien e “kalifatit” të tyre.

“Shteti Islamik” kishte imponuar interpretimin e vet të vrazhdtë të Islamit mbi miliona njerëz që jetonin në proto-shtetin që u shpall në një pjesë të madhe të Sirisë dhe Irakut fqi, më 2014, raporton agjencia “France Presse”, transmeton “Koha Ditore”.

Xhihadistët akuzohen për krime të shumta, përfshirë ekzekutimet në masë, rrëmbimet dhe përdhunimet.

“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta themelojë një tribunal të posaçëm ndërkombëtar në Sirinë verilindore, për t’i gjykuar terroristët”, ka thënë administrata kurde në Siri.

Në këtë mënyrë, “gjykimet do të jenë fer dhe në pajtim me ligjin ndërkombëtar, ashtu si edhe konventat dhe kartat për të drejtat e njeriut”, shkruan në deklaratën e kësaj administrate.

Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra prej kurdëve, të shtunën e kanë shpallur fundin e “kalifatit”, pas mposhtjes së xhihadistëve në fshatin lindor të Baghouzit, në afërsi të kufirit me Irakun.

Forcat e udhëhequra prej kurdëve, të mbështetura prej një koalicioni në krye me SHBA-në, kanë arrestuar mijëra luftëtarë të dyshmtë të “Shtetin Islamik” në më shumë se katër vjet lufte, përfshirë rreth 1.000 shtetas të huaj.