BE-ja kundër SHBA-së, nuk e njeh sovranitetin e Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit Foto: Reuters

BE-ja kundër SHBA-së, nuk e njeh sovranitetin e Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit

22 March 2019 21:45

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se BE-ja nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket Rrafshnaltës së Golanit, një ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se është koha që SHBA-ja të njohë sovranitetin e Izraelit në atë rajon.

“Pozicioni i Bashkimi Evropian është i njohur dhe nuk ka ndryshuar”, tha Tusk në një konferencë për media.

Bashkimi Evropian nuk njeh sovranitetin e Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit.

Izraeli e mori nën kontroll këtë territor nga Siria pas luftës së vitit 1967. Siria vazhdimisht ka kërkuar të rikthejë sovranitetin mbi rajonin, transmeton REL.

Turqia, Irani dhe Siria kanë dënuar deklaratën e presidentit Trump përderisa Rusia shfaqi shpresën se ajo do të mbetet “vetëm një kërkesë”.

Më 21 mars, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se është koha që SHBA-ja të njohë sovranitetin e Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit.

Përmes një postimi në Twitter, presidenti Trump deklaroi se Rrafshnalta e Golanit ka rëndësi strategjike dhe të sigurisë për Izraelin dhe rajonin.

“Pas 52 vitesh është koha që Shtetet e Bashkuara të njohin plotësisht sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit, që është e një rëndësie strategjike dhe të sigurisë për Izraelin dhe stabilitetin rajonal”, shkroi presidenti amerikan, Donald Trump.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, menjëherë reagoi duke falënderuar presidentin amerikan.

“Në një kohë kur Irani kërkon të përdorë Sirinë si një platformë për të shkatërruar Izraelin, Presidenti Trump pranon me guxim sovranitetin izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit”, tha Netanyahu.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme