Botë

Besnikët e Guaidos marrin nën kontroll tri objekte diplomatike të Venezuelës në SHBA

Njerëz të afërt me liderin opozitar të Venezuelës, Juan Guaido, kanë marrë nën kontroll tri objekte diplomatike të vendit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë të martën përfaqësuesi i opozitës, Carlos Vecchio.

Ai ka thënë se opozita ia ka dalë që t’i marrë nën menaxhim dy objekte që i përkasin ministrisë venezuelase të Mbrojtjes në Washington si dhe ndërtesën e konsullatës në New York, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Vecchio ka shtuar se gjatë ditëve në vijim pritet që nën kontroll të opozitës të vihet edhe ndërtesa e Ambasadës venezuelase në Washington.

“I ndërmorëm këto veprime për t’i mbrojtur pronat e Venezuelës në këtë shtet”, ka thënë Vecchio, duke shtuar se nga të gjitha pronat e marra janë hequr fotografitë e presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro, dhe janë vendosur ato të Guaidos.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tërhequr javën e kaluar gjithë stafin diplomatik nga Venezuela, në shenjë proteste ndaj politikave të Maduros për mosdorëzim të pushtetit.

Lideri opozitar Guaido ka shfrytëzuar në dispozitë kushtetuese dhe ka shpallur vetën president të përkohshëm të Venezuelës. Pak kohë pas kësaj, SHBA-ja dhe shumica e shteteve të Evropës perëndimore dhe të Azisë e kanë njohur Guaidon si lider legjitim të Venezuelës. Ndërkaq Kina dhe Rusia ende e mbështesin Maduron, i cili e fitoi mandatin e ri në krye të vendit gjatë zgjedhjeve të kontestuara të majit të shkuar.