Arrestohet malajziani që kontrabandonte embrion të gjallë njerëzor në Indi

Arrestohet malajziani që kontrabandonte embrion të gjallë njerëzor në Indi

19 March 2019 12:41

Autoritetet indiane i kanë nisur hetimet të martën ndaj një rrjet të dyshuar trafikimi, pasi e zbuluan në aeroportin e Mumbait një valixhe, në të cilën ndodhej një embrion i gjallë njerëzor.

Një shtetas malajzian është arrestuar si i dyshuar për rastin e 26 marsit, kur ai u kap me një kanistër me embrion njerëzor në valixhen e tij, ka raportuar “BBC”, transmeton “Koha Ditore”.

Malajziani i arrestuar, i cili ka pranuar se kjo nuk ishte hera e tij e parë që kontrabandën embrione në Indi, u ka thënë zyrtarëve se ka bashkëpunuar me një klinikë të mbarësimit artificial (IVF) në qytetin e Mumbait. Ama klinika ka hedhur poshtë përfshirjen në këtë rast.

“I arrestuari ka thënë gjatë marrjes në pyetje se do t’ia dërgonte embrionin kësaj klinike”, ka thënë Rebecca Gonsalves, përfaqësuese e Drejtorisë policore për Inteligjencë (DRI), e cila është në krye të hetimeve.

Sipas raportimit të “Times of India” janë zbuluar po ashtu një mori mesazhesh telefonike që e mbështesin pretendimin e tij. Goral Gandhi, një embriologe që e drejton klinikën, ka thënë se pretendimet janë të pavërteta.

Avokati i saj, Sujoy Kantawalla, ka thënë gjatë dëshmisë në gjykatë se “i arrestuari nuk importon embrione në emër të klinikës”.

IVF-ja, një metodë kjo mbarësimi që është bërë më se e popullarizuar në Indi gjatë viteve të fundit, është proces i fekondimit artificial të vezës në laborator dhe e implantimit të saj në mitër. Embrionet mund të ngrihen dhe të ruhen për vite të tëra, ndërsa shumë njerëz madje i japin ato si donacion me qëllim të përdorimit te çiftet që presin të bëhen prindër. Sidoqoftë, importimi i embrioneve është ilegal në Indi, përpos nëse nuk ekziston leja paraprake e lëshuar nga Këshilli shtetëror i Kërkimeve Mjekësore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme