Botë

I mbijetuari i Christchurchit i thotë “akoma të dua” sulmuesit që ia vrau gruan

Një besimtar mysliman që e mbijetoi kërdinë në xhaminë “Al Noor” të qytetit zelandez Christchurch, por bashkëshortja e të cilit mbeti viktimë e sulmit terrorist, i është adresuar të martën, me anë të një interviste, sulmuesit australian, duke thënë se do të donte që një ditë ta takojë dhe t’i thotë: “Akoma të dua”.

Pesëdhjetë persona kanë vdekur në dy xhami të qytetit jugor të Zelandës së Re, kur sulmuesi i armatosur zbrazi disa karikatorë në drejtim të besimtarëve gjatë lutjeve të së premtes në qytetin tani të ngërthyer nga zia dhe pikëllimi, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

“Dua që këtë mesazh t’ia përçoj personit që e ndërmori këtë krim apo mbase edhe ndonjë miku të tij që mund të mendojë njësojë sikurse ai: Unë akoma të dua”, ka thënë Farhid Ahmet (59), gjatë një interviste dhënë për “Reutersin” nga shtëpia e tij, ku të afërmit arrinin vazhdimisht për ta ngushëlluar për vdekjen e bashkëshortes, Husna. “Nuk pajtohem me atë që ke bërë... ke marrë një vendim të gabuar, një drejtim të gabuar, ama prapëseprapë dua të besoj në ty. Dua të besoj se thellë në zemër ke një potencial të madh”, ka thënë ai. Australiani 28-vjeçar, Brenton Tarrant, një ekstremist djathtist, është paditur të shtunën për vrasjet e kryera në krimin më të rëndë masiv në histori të Zelandës së Re.