Botë

Edhe dy të tjerë në Christchurch të Zelandës në rrezik për jetën, numri i të vdekurve shkon në 50

Pas atentatit terrorist djathtist në Zelandën e Re numri i viktimave rritet në 50 vetë. Policia zbuloi një viktimë tjetër në një nga xhamitë e sulmuara. Një besimtar reagoi me guxim duke ndihmuar në kapjen e atentatorit.

Numri i viktimave pas sulmit terrorist djathtist në Christchurch mund të rritet edhe më tej, sipas policisë zelandeze. Dy të lënduar ndodhen ende në rrezik për jetën. 36 vetë u dërguan në spitale me plagë të rënda. Policia është e mendimit, se i arrestuari ka vepruar i vetëm.

28 vjeçari, Brenton Tarrant, që zotëron lejen e armëmbajtjes dhe ka qenë anëtar i një shoqate qitësish, është vendosur në një burg të sigurisë së lartë. Në një dalje para gjykatës, i akuzuari tregoi shenjën “okay”, që njihet edhe si shenjë e skenës ekstremiste të djathtë për “pushtetin e bardhë”.

Pas kësaj qëndron ideja e supremacisë së racës së bardhë. Facebook ndërkohë ka fshirë 1,5 milionë video që qarkullonin në mediat sociale pas atentatit në shenjë respekti ndaj viktimave e personave të tjerë.

Portali online “Stuff” raporton, se angazhimi i guximshëm i një vizitori të xhamisë pengoi më të keqen. Një besimtar në një pushim zjarri të atentatorit ka thyer xhamin e pasmë të automjetit të atentatorit. Automjeti i thyer i ra në sy një patrulle të policisë, që më vonë arrestoi terroristin, para se ai të kryente atentate të tjera.