Botë

Guaido përballet me hetime për “sabotazhin” me rrymë në Venezuelë

Kryeprokurori venezuelas, Tarek Saab, i ka kërkuar të martën Gjykatës Supreme të hapë hetime kundër liderit opozitar, Juan Guaido, për përfshirje të pretenduar në “sabotazhin” me energjinë elektrike në vend.

Kërkesa u bë vetëm një ditë pasi presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro, e akuzoi presidentin amerikan, Donald Trump, se e ka orkestruar bashkë me opozitën vendore komplotin “djallëzor” për ta detyruar që të largohet nga pushteti, transmeton KTV.

Autoritetet kanë pasur vështirësi në rikthimin e energjisë elektrike qysh nga e enjtja, kur pjesa më e madhe e Venezuelës ngeli në errësirë. Armiqtë politikë të Maduros dhe ekspertë të shumtë besojnë se ndërprerja mbarëvendore e rrymës është rezultat i keqmenaxhimeve shumëvjeçare, korrupsionit dhe jokompetencës së vendit.

“Jemi në mes të një katastrofe që nuk është rezultat i ndonjë uragani, që nuk është rezultat i ndonjë Cunami”, tha Guaido, të cilin shumica e Qeverive perëndimore tani e njohin si liderin e përkohshëm legjitim të Venezuelës.

“Ky është produkt i paaftësisë, i regjimit të korruptuar që nuk çan kokën për jetët e venezuelasve”. Por në një adresim televiziv të hënën mbrëma, Maduro akuzoi Shtëpinë e Bardhë për ndërmarrjen e një “sulmi elektromagnetik” imperialist. Kritikët e vlerësuan këtë koment të tijin si përpjekje cinike për ta devijuar tjetërkund përgjegjësinë.