May nuk e ka përkrahjen e partisë në prag të votës vendimtare për Brexitin Foto: Reuters

Britania në kaos - Parlamenti refuzon sërish marrëveshjen e Mayit për Brexit

12 March 2019 15:14
20:43

Parlamenti britanik e ka refuzuar për të dytën herë të martën marrëveshjen e kryeministres, Theresa May, për shkëputjen e rrugëve me Bashkimin Evropian, duke e thelluar krizën më të rëndë politike të vendit, vetëm 17 ditë para datës së paracaktuar për daljen e Londrës nga blloku evropian.

Ligjvënësit e kundërshtuan marrëveshjen e amendamentuar të Mayit për Brexit me 391 vota kundër dhe 242 për, teksa bisedimet e saja të minutës së fundit me shefat e BE-së të hënën dolën të pafrytshme, transmeton KTV. Votimi e futë ekonominë e pestë më të madhe të botës në ujëra të turbullta, duke e lënë atë pa ndonjë opsion tjetër përpos zgjatjes së datës së divorcit përtej 29 marsit, mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme apo organizimit të një tjetër referendum.

May mund po ashtu të provojë që ta nxjerrë për të tretën herë në votim parlamentar ujdinë e saj, me qëllim që të përpiqet ta sigurojë mbështetjen e ligjvënësve euroskeptikë, në rast se rrezikohet që Britania në fund të mbetet krejtësisht në BE.

Pas kësaj, ligjvënësit duhet të votojnë të mërkurën për të vendosur nëse Britania duhet të dalë nga blloku më i madh tregtar i botës pa një marrëveshje, skenar ky për të cilin liderët e fushës së biznesit kanë paralajmëruar se mund të gjenerojë kaos në tregje. Ndërkaq kritikët e tjerë kanë thënë se ky opsion rrezikon të prodhojë mungesë të furnizimeve në ushqim dhe ilaçe për Britaninë e Madhe.

16:51

May ligjvënësve: Më përkrahni ose do të mbesim në BE

Kryeministrja britanike, Theresa May është munduar që disa orë para votës vendimtare rreth Brexitit ta fitojë përkrahjen për planet e saj për largim të rregullt, duke i nxitur anëtarët skeptikë të Partisë Konservatore të votojnë marrëveshjen, sepse në të kundërtën Britania rrezikon të mos dalë fare nga Bashkimi Evropian.

Pak para se të votohet për marrëveshjen në parlament, May ka dështuar që ta sigurojë përkrahjen e fraksionit kryesor të partisë së saj, derisa Partia Demokratike Unioniste (DUP) e Irlandës Veriore, që mbështet qeverinë e saj të pakicës, ka bërë të ditur se do të votojë kundër, transmeton Koha.net.

Sidoqoftë, May e ka mbështetur planin e saj si marrëveshje të mirë, krahasuar me alternativat tjera.

“Nëse kjo marrëveshje nuk kalon sonte, e humbim Brexitin”, ka thënë May në parlamentin britanik.

15:14

May nuk e ka përkrahjen e partisë në prag të votës vendimtare për Brexitin

Largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian ka mbetur pezull të martën, pasi që koncesionet e siguruara nga Brukseli të kryeministres Theresa May nuk kanë arritur ta bindin fraksionin kryesor të Partisë së saj Konservatore, vetëm disa orë para votës në parlament.

Në përpjekjen e fundit për një dalje nga qorrsokaku i shkaktuar prej Brexitit, në prag të 29 marsit, datës së caktuar nga Mbretëria e Bashkuar për largim nga blloku evropian, May ia kishte mësyrë Strasburgut të hënën, për t’u marrë vesh për garanca ligjore me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Sidoqoftë, prokurori i përgjithshëm, Geoffrey Cox ka thënë në një opinion të shkruar se garancat nuk e zgjidhin çështjen dhe se e lënë Mbretërinë e Bashkuar në orbitën e bllokut edhe pas Brexitit.

“Risqet ligjore mbesin të pandryshuara”, ka thënë Cox, transmeton Koha.net.

Sterlina ka rënë për dy cent pas publikimit të opinionit të Coxit, opinion ky që ul mundësitë e kalimit në parlament të marrëveshjes së kryeministres May.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme