Botë

Një dokument i ri i hedh dritë puçit “të rremë” të Turqisë

Puçi i dështuar i vitit 2016 në Turqi ka transformuar krejtësisht politikat e brendshme të vendit si dhe relacionet e saj me Bashkimin Evropian. Dy vjet e gjysmë më vonë, një dëshmi e re po e mbështet atë që BE-ja e dyshonte përherë – se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka ditur fare mirë krejt atë që po ndodhte dhe lejoi që të ndodhte, si pretekst për t’i dhënë formë sundimit prej një njeriu.

Dëshmia më e re u shfaq në formën e një dokumenti të hartuar prej një prokurori turk më 16 korrik 2016 dhe të siguruar nga gazetari hulumtues, Ahmet Donmez, i cili jeton në azil në Suedi. Dokumenti paraqet dëshmi të hollësishme të ngjarjeve që ndodhën ndërmjet fillimit të puçit dhe orëve të para të mëngjesit të asaj dite. Në të thuhet se puçistët në radhët e forcave ajrore turke e bombarduan Parlamentin dhe oborrin e pallatit presidencial, për shembull. Dhe kjo edhe ndodhi. Por për çudi, prokurori që i evidentoi minutë pas minute këto të dhëna, Serdar Coskun, raportoi se shënimet janë mbajtur në orën 1 të mëngjesit – që i bie në fakt katër orë para se gjithçka të ndodhte, shkruan “EuObsever”.

Coskun fillimisht ruajti heshtjen rreth kësaj. Mirëpo më vonë, në një intervistë dhënë për një gazetar proqeveritar, ai e konfirmoi vërtetësinë e dokumentit, por tha po ashtu se kishte gabuar në evidentimin e orës. Ai ka nisur të shkruajë në orën 1 të mëngjesit, tha ai, por e përfundoi punën në orën 7 dhe la të kuptohet se ka harruar ta ndryshojë kohën. Shpjegimi i Coskunit u cilësua si i pabesueshëm, shkaku që disa gjëra që ai i evidentoi me minuta në fakt kurrë nuk kanë ndodhur.

Ngjarjet joekzistente që ai i evidentoi përfshijnë rrethimin e ndërtesës së Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës (MIT), bombardimin e selisë së përgjithshme të forcave speciale dhe bombardimin e byrosë së inteligjencës policore, shkruan Koha Ditore.

Ambasada turke në Bruksel ka refuzuar që të japë ndonjë koment rreth zbulimit, pasi u kontaktua nga “EUObserver”. Por për një ekspert turk, minutat e evidentuar nënkuptojnë vetëm një gjë – se njerëzit e Erdoganit kanë ditur saktë se çfarë do të ndodhë, i lejuan disa prej ngjarjeve që të ndodhin në mënyrë të kontrolluar, si pretekst për ta shtypur kryengritjen. Ata madje nisën t’i hartojnë paraprakisht dokumentet që do të duheshin më vonë për t’i përdorur në gjykimet kundër kundërshtarëve politikë.

“Në fund, ne tani e dimë se si e shfrytëzoi Erdogani të ashtuquajturin puç me aq nxitim dhe mizori... dyshimet e mia janë përforcuar akoma më shumë”, ka thënë Andrew Duff, ish-deputet britanik, i cili punon tani në Qendrën për Politika Evropiane, një organizatë me seli në Bruksel.

Duke i kujtuar ngjarjet e korrikut të 2016-s, Duff tha se puçi dukej qysh atëherë se përmbante incidente të rreme.