Botë

Shakaja për “tualetet e gjinisë së tretë” e pasueses së Merkelit ndezi debat në Gjermani

Ajo që me gjasë do të bëhet lidere e ardhshme e Gjermanisë dëshiron që bashkëqytetarët e saj ta bëjnë një gjë të cilën të huajt e kërkojnë tashmë sa shekuj: të mos i marrin afër zemrës shakatë.

Ishte kjo porosia e Annegret Kramp-Karrenbauerit, pas një barsolete që e kishte treguar rreth tualeteve të papërcaktuara në aspektin gjinor, gjatë një karnavali gjerman. Vetë barsoleta kishte nxitur mllef e debat në Gjermani, raporton “Washington Post”.

Liderja e partisë më të madhe të Gjermanisë – që pritet ta pasojë Angela Merkelin si kancelare – është munduar të shpërfaqë sens humori në prani të shumë gjermanëve të veshur me rroba karnavalesh, në një sallë ku po mbahej ceremonia, gjatë javës së kaluar. Ajo kishte nisur të fliste për trendët dhe stilet progresive të kryeqytetit “të varfër, por seksi” të Gjermanisë, Berlin, transmeton “Koha Ditore”.

Duke iu referuar kulturës “hippie”, ajo ka folur për ahengjet ‘latte macchiato’ dhe ka përmendur “tualetet e gjinisë së tretë”, për të cilat ka thënë se “janë për burrat që nuk mund ta ndajnë mendjen nëse duan të ulen, apo të rrinë në këmbë gjatë urinimit. (Gjermanët e kanë të rrënjosur në kulturë se duhet të ulen).

Por, nëse barsoleta u prit mirë në shtetin jugperëndimor të Badem-Wurttembergut, ajo nxiti mllef në pjesën tjetër të Gjermanisë – posaçërisht në kryeqytet.

Zv.kryebashkiaku i Berlinit i quajti komentet “imitim qesharak”.

“Mahitë e ngathëta kundër pakicave janë gjëja e fundit për të cilën ka nevojë shoqëria jonë”, tha ministrja e Drejtësisë, Katarina Barley, socialdemokratët e së cilës janë partnerë në Qeverinë e Unionit Kristian-Demokrat të Kramp-Karrenbauerit.

Në vend se të kërkonte falje, Kramp-Karrenbauer, e njohur më shumë me akronimin AKK – mori anë. Gjatë një fjalimi këtë javë, ajo i sulmoi kritikët e saj, duke i quajtur pengje pa sens humori të një korrektësie politike.

“Nëse jemi aq të ngurtë, si ka qenë rasti gjatë ditëve të kaluara, atëherë një pjesë tradite dhe kulture në Gjermani do të rrënohet. Dhe ne nuk duhet ta lejojmë atë”, ka thënë ajo të mërkurën, duke shtuar se “aktualisht jemi njerëzit më striktë në botë. Kjo nuk bën të vazhdojë”.

Shakaja – dhe vendimi i AKK-së që ta përshkallëzojë rrëmujën – pasqyron një dallim ekstrem midis saj dhe Merkelit.

Gjatë garës së vitit të kaluar për ta marrë kryesimin e partisë CDU, AKK ishte quajtur “mini-Merkeli” për qasjen e saj relativisht të moderuar, në një fushë që përfshinte edhe dy kandidatë të tjerë konservatorë, ashtu si edhe natyrën jotendencioze, reputacionin për krijimin e konsensuseve dhe, në një botë politike që vazhdon të dominohet prej burrave.