Botë

Guido kërkon sanksione shtesë ndaj Maduros, pas dëbimit të ambasadorit gjerman

Lideri i opozitës venezuelase, Juan Guaido, ka nxitur të enjten Evropën që t’i ashpërsojë sanksionet financiare ndaj Qeverisë së presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro, pas vendimit për dëbimin nga vendi të ambasadorit gjerman.

Komentet e tij dhënë një reviste gjermane thellojnë edhe më shumë debatin në përplasjen globale rreth Venezuelës, në kuadër të të cilës një numër i madh i vendeve perëndimore e kanë mbështetur pretendimin e Guaidos për të qenë shefi legjitim i shtetit. Në anën tjetër, Rusia dhe Kina kanë mbështetur socialistin Maduro dhe u kanë bërë thirrje vendeve që të përmbahen nga ndërhyrja në Venezuelë, transmeton Koha.net.

“Shpallja e ambasadorit Daniel Kriener persona non grata nga ana e Qeverisë në Karakas paraqet një kërcënim ndaj Gjermanisë”, citohet të ketë thënë të enjten Guaido për të përditshmen gjermane “Der Spiegel”, raporton Reuters. Kriener dhe diplomatë të tjerë e kanë mirëpritur Guaidon në aeroportin e Karakasit gjatë kësaj jave, me rastin e kthimit të tij në vend pas vizitës vendeve evropiane. “Shpresoj se Evropa do të reagojë ashpër ndaj këtij kërcënimi serioz ndaj një ambasadori”, ka thënë Guaido. “Mbi të gjitha, ata duhet t’i ashpërsojnë sanksionet financiare ndaj regjimit”.

Gjermania është një prej vendeve që ka mbështetur planin e Guaidos për instalimin e një Qeverie të përkohshme në Venezuelë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja kombëtare. Ai e cilëson Maduron uzurpator, i cili e siguroi rizgjedhjen vitin e kaluar me anë të manipulimit të votave. Maduro thotë se është viktimë e një tentimpuçi të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e një “lufte ekonomike” ndaj vendit të tij. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, e ka quajtur të enjten veprimin e Venezuelës “të pakuptueshëm” dhe ka thënë se Gjermania dhe partnerët e saj evropianë do të vazhdojnë ta mbështesin Guaidon.