Botë

Protesta masive në Madrid kundër planit të kryeministrit Sanchez

Foto: Reuters

Mijëra persona u mblodhën në qendër të Madridit në një protestë të organizuar nga partitë e qendrës së djathtë, kundër planit të qeverisë spanjolle për t’i lehtësuar tensionet në rajonin e Katalonjës.

Thirrja për protestë u bë pasi kryeministri Pedro Sanchez tha se do ta caktojë një zyrtar për bisedime me separatistët. Ata e konsiderojnë emërimin tradhti dhe dorëzim ndaj presionit separatist dhe duan zgjedhje të parakohshme, transmeton KTV. Ashtu si të djathtët, edhe socialistët në pushtet kundërshtojnë pavarësinë e Katalonjës.

Grupet e ekstremit të djathtë, përfshirë edhe partinë Vox, ishin gjithashtu të pranishëm në protestë, mbajtur nën sloganin “Për një Spanjë të bashkuar”. Nacionalistët katalunas rifituan pushtetin në Barcelonë në maj, pas një periudhe shtatëmujore të sundimit të drejtpërdrejtë të Madridit.

Tensionet mbeten të shtuara, pasi shumë katalunas refuzuan pushtetin e Madridit vitin e kaluar, kur krerët pro-pavarësisë u arrestuan për kryengritje. Kryeministri Sanchez kryeson një qeveri të pakicës që varet nga nacionalistët, përfshirë katalanasit, por ka përjashtuar çdo referendum të ri për pavarësinë e Katalonjës.