Botë

Lideri i përkohshëm i Venezuelës, Guaido, mbështetet edhe nga fqinjët rajonalë

Pas Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, edhe një grup shtetesh të Amerikës Latine dhe Kanadaja i kanë bërë thirrje ushtrisë së Venezuelës të mbështesin udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të vendit.

Në një deklaratë të shpërndarë prej tyre, 11 nga 14 anëtarët e të ashtuquajturit “Grupi Lima” bënë thirrje për ndryshim të pushtetit pa përdorur forcën, e gjithashtu për dërgimin e menjëhershëm të ndihmave humanitare, transmeton TCH raportimin e mediave botërore.

Guaido u vetëshpall president i përkohshëm dhe fitoi shumë shpejt mbështetjen nga fuqitë kryesore ndërkombëtare, përfshi këtu Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, presidenti Nicolas Maduro këmbëngul se është ai udhëheqësi legjitim i Venezuelës.

Maduro, i cili gjithashtu gëzon mbështetjen e një sërë vendesh, përfshi Kinën dhe Rusinë, paralajmëroi më herët se kriza e thelluar politike në Venezuelë mund të përshkallëzohet në luftë civile. Ai u betua muajin e kaluar për një mandat të dytë presidencial, pas fitores në një palë zgjedhjesh të konstestuara, me shumicën e krerëve të opozitës që nuk garuan, ose për shkak bojkoti, ose sepse gjendeshin në burg.

Si kundërpërgjigje, Guaido, i cili është aktualisht kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, tha se Kushtetuta i lejonte atij të merrte përkohësisht pushtetin, kur presidenti konsiderohet ilegjitim.

Por cili është “Grupi Lima”? Ky grup shtetesh amerikano-latinë u mblodh në Ottaëa të Kanadasë, e në fund të takimit nxorën një deklaratë 17-pikëshe. Dokumenti theksonte se qeveritë e Argjentinës, Brazilit, Kanadasë, Kilit, Kolumbisë, Kosta Rikës, Guatemalës, Hondurasit, Panamasë, Paraguajit dhe Perusë “ritheksojnë njohjen dhe mbështetjen për Juan Guaidon” si president të përkohshëm të Venezuelës.

Grupi 11-anëtarësh bëri gjithashtu thirrje ndaj komunitetit global që “të marrë masa për të parandaluar regjimin e Maduros të zhvillojë transaksione financiare dhe tregtare, të ketë qasje në asetet ndërkombëtare e Venezuelës, apo të zhvillojë biznese me naftën, arin apo të tjera”.

Por, 3 shtete të “Grupit të Limës”, Gujana, Meksika dhe St. Lucia nuk e mbështetën këtë deklaratë.