Botë

Heather Nauert, zëdhënësja e re e Departamentit amerikan të Shtetit

Ish-drejtuesja e një emisioni në televizionin Fox News, Heather Nauert është zëdhënësja e re e Departamentit amerikan të Shtetit.

Njoftimi u dha përmes një deklarate të Departamentit të Shtetit.

“Përvoja e Heather në media dhe interesi i saj i përhershëm për çështjet ndërkombëtare do të kenë vlerë të paçmueshme ndërsa ajo i transmeton përparësitë e politikës së jashtme të administratës për publikun amerikan dhe atë botëror”.

Heather Nauert ishte së fundmi një nga drejtueset e emisionit të mëngjesit “Fox and Friends” në Fox News, një emision i preferuar i Presidentit Donald Trump.

Më parë ajo ishte korrrespondente për televizionin ABC.

Që nga fillimi i mandatit, posti i zëdhënësit të Departamentit të Shtetit ka qenë i paplotësuar. Mark Toner, një diplomat karriere, që ishte zëvendës zëdhënës i Departamentit gjatë presidencës Obama, ka shërbyer si zëdhënës në detyrë.

Nuk është ende e qartë se kur do të fillojë të drejtojë konferencat për shtyp zëdhënësja e re, Nauert.