Botë

Nga nesër nis zbatimi i emrit Republika e Maqedonisë së Veriut

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Maqedonia do të fillojë zyrtarisht zbatimin e emrit, “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Zbatimi do të nisë nga tabelat kufitare, ato të institucioneve dhe organeve të pushtetit qendror dhe lokal.

“Këto masa rregullojnë zbatimin e emrit të ri Kushtetues, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në përputhje me vendimet e Qeverisë, ministritë përkatëse, organet shtetërore dhe institucionet, ndërmarrjet publike dhe shoqatat aksionare në kuadër të shtetit, në përputhje me afatin e paraparë për fuqizimin e amendamenteve do të detyrohen të bëjnë ndërrimin e tabelave në vendkalimet kufitare, përfaqësitë diplomatike dhe konsulare si dhe në hyrjet e institucioneve”, pohoi Mile Boshnjakovski, zëdhënës i qeverisë, transmeton Kosovapress.

Ndryshimet që do të zbatohen do të jenë në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

"Shqiptarët janë 20 për qind në nivel shtetëror. Në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, të gjitha ndryshimet do të harmonizohen me dispozitat e ligjit”, tha Mile Boshnjakovski, zëdhënës i qeverisë.

Qeveria do të formojë grupe pune të cilat do ta monitorojnë zbatimin e emrit, Maqedonia e Veriut, në të gjitha institucionet. Organi ekzekutiv akoma nuk ka konstatuar sa do të kushtojnë zbatimi emrit të ri nëpër tabelat e institucioneve brenda dhe jashtë vendit.

Ndërkohë vendet anëtare të NATO-s kanë filluar me ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Bullgaria është vendi i parë që ka miratuar protokollin, ndërsa më 8 shkurt pritet që të njëjtin ta ratifikojë edhe parlamenti i Greqisë.